Mësimi online, dy platforma kanë qenë në lojë! Ademi: Nëse propozohet subvencionimi i kompjuterëve, BDI e mbështet

TË FUNDIT

Deri në ditën e fundit sa ka qenë ministër i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tash deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim ka qenë duke negociuar me UNICEF-in që për platformë nacionale të jetë EDU INO dhe jo platforma e cila është krijuar nga Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike.
Ademi refuzon të japë vlerësim se si mund të jetë viti shkollor me platformën aktuale, ndërkaq për çështjen e mungesës së aparaturës teknologjike, thotë se nëse propozohet një gjë e tillë BDI do ta mbështesë.

Arbër Ademi: “Duhej të presim më tepër muaj, se s’ka në treg, në Maqedoni nuk ka. Por, as në rajon nuk ka. Edhe Ecolog që i solli 3 mijë donacion, disa i ka siguruar në Gjermani, disa në Dubai.
Agron Vrangalla: Mirë, shteti a nuk ka mjete për këto gjëra?
Arbër Ademi: “Sigurisht se ka mjete dhe me ministren Carovska një prej çështjeve që e kemi diskutuar, ka qenë edhe kjo çështje dhe unë si në BDI edhe në Kuvend do ta mbështes nëse bëhet një gjë e tillë.

Ndërkaq deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe i reagoi duke thënë se në vend se të siguroheshin mjete për kompjuterë, u bë shkurtimi i buxhetit të ministrisë.

“Dy herë u bë rilabanci i buxhetit, dhe dy herë u shkurtua në arsim. Në këtë krizë të madhe, me rebalancin dy herë shkurtohet në arsim”, deklaroi Halil Snopçe – deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Ndihmë nga Qeveria po pret edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Tha se i kanë premtuar se kjo çështje do të zgjidhet gjatë javës së ardhshme.

“Ne me rebalancin kemi ndarë mjete për mjetet teknologjike, për ta përcjell mbarëvajtjen e mësimit. Por edhe njëherë duhet të jemi korrekt, se të gjitha mangësitë që shfaqen, nuk mund t’i mbulon vetëm pushteti lokal, duhet ndihmë edhe prej pushtetit qendror”, theksoi Visar Ganiu – Kryetar i Komunës së Çairit.
Zyrtarisht thuhet se më së paku 40 mijë fëmijë nuk mund të ndjekin mësimin online, ndërkaq nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme thonë se ky numër sillet deri në 90 mijë. Informacionet nga terreni tregojnë se shumë nxënës mësimin online e ndjekin drejtpërdrejt nga platforma Microsoft Teams, pasi kyçja në platformën nacionale është e pamundur ose për shkak se ajo del “error” ose se nuk kanë emër të përdorimit. Ka mësues që ligjërojnë nga shtëpia, ngaqë shkollat nuk kanë internet. Por nga MASH kanë vlerësuar, se 80 për qind e mësimit online është duke u realizuar në mënyrë të suksesshme.