Mësimdhënësit në grevë, nëse nuk rriten pagat! MASh: Po kërkojmë zgjidhje në kushte të krizës ekonomike

TË FUNDIT

Asnjë progres në negociatat mes SAShK-ut dhe autoriteteve qeveritare për rritjen e pagave.
Pas rritjes së pagës minimale, bisedimet me Qeverinë për harmonizimin e pagave të punëtorëve në çerdhe dhe arsim janë pa rezultat, thonë nga Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

“Kemi dërguar kërkesa zyrtare në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit për të realizuar takime pune, që në pajtueshmëri me rritjen e pagës minimale duhet të harmonizohemi me rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar. Revolta e anëtarëve është shumë e madhe, posaçërisht në kopshtet e fëmijëve, në shkollat fillore dhe të mesme, edhe në konvikte. Sigurisht që edhe arsimi i lartë pret që të përfshihet në përllogaritjet për harmonizim të pagave”, deklaron Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

Kreu i sindikatës Jakim Nedellkov thotë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha variantet për bisedime dhe negociata, por në qoftë se kërkesat hasin në vesh të shurdhur do të organizojnë protestë masive ose grevë gjenerale.

“Të shtunën organi më i lartë i vendimmarrjes së Sindikatës – Këshilli i SAShK-ut do të diskutojë për këtë çështje dhe do të sjell përfundime të caktuara që do të duhet të realizohen në organizatat sindikale në anëtarësi, që të marrim porosi të qartë nga anëtarësia se çfarë pret nga ne. Me shumë gjasë do të jenë dy nga mjetet më radikale – protestë masive ose grevë gjenerale”, deklaroi Nedellkov.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se janë në bisedime me SAShK-un dhe se do të marrin vendime të përbashkëta që janë në interes të përmirësimit të statusit të të gjithë mësimdhënësve në vend.

“Synimi ynë është të rrisim motivimin e mësimdhënësve për të punuar, sepse ata janë hallka më e rëndësishme në procesin arsimor dhe sigurisht që ka një përkushtim për harmonizimin e pagës minimale me pagën në të gjitha departamentet, përfshirë edhe arsimin. Në atë drejtim, kërkohet një zgjidhje që në kushtet e krizës ekonomike të kënaqë të gjitha palët e interesuara. Protesta nuk është alternativë e mirë dhe nuk shkon në favor të zgjidhjes së kësaj sfide, e cila besojmë se do të kalohet me bisedime”, thanë nga MASh-i.

SASHK nuk e di shumën e saktë të parave të nevojshme për t’iu përshtatur pagave në arsim, por thonë se janë më pak se paratë e shpenzuara për blerjet e veturave zyrtare për vitin e kaluar.