Mësim online edhe pas 1 shtatorit? “Me këto kushte aspak nuk është i dëshiruar”

TË FUNDIT

Pengesa të shumta pati kur filloi mësimin online. Kërkonte ndihmën e profesorëve të informatikës, por për t’u lidhur me nxënësit i ndihmonte e bija.

Por katër muaj ligjërim online nuk i mjaftojnë profesorit të historisë, Naser Miftari që të thotë se është i gatshëm të japë ligjerata online edhe nga 1 shtatori. Si pengesë e sheh mosgatishmërinë e profesorëve dhe nxënësve për të mbajtur mësim online dhe mungesën e planprogramit të veçantë.


“Derisa ne u mobilizuam, u desh një kohë edhe pse ne kishim filluar pas dy tre ditësh. Aspekti tjetër është se ne nuk patëm një planprogram nga institucionet. Program më të kompletuar se si ne duhet të veprojmë në kushte të jashtëzakonshme. Me këto kushte që i kaluam, mendoj se aspak nuk është i dëshiruar. Kurse tani rezultatet tregojnë. Unë jam i kyçur në shumë projekte dhe të njëjtat projekte mundohemi t’i zhvillojmë online. Çfarë paraqitet në një moment? Një lodhje e gjithë atyre nxënësve që ishin të kyçur online. Nuk dëshirojnë të kyçen online”, tha Naser Miftari, profesor.

Pengesë janë edhe mungesa e pajisjeve teknologjike nga profesorët dhe nxënësit. Për këtë propozon që të bëhet një regjistrim.


“Pa hezitim e them këtë, duhet vërtetë të bëhet një regjistrim i mirëfilltë. Cilët mësimdhënës, cilët nxënës dhe cilët prindër nuk kanë mundësinë bazike për t’u ndihmuar. Sepse po që se e harrojmë një, atëherë ajo është humbje”, u shpreh profesori, Naser Miftari.

Për këto pengesa e pyetëm drejtorin e Byrosë së zhvillimit të arsimit, Zekirija Hasip. Ai thotë se janë kompetent për t’i trajnuar arsimtarët, ndërkaq për pajisjet teknologjike tha është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit ka përpiluar draft – koncepcionin e mësimi online, por Hasipi thotë se ai nuk është planprogram, pasi siç thotë ende nuk dihet se si do të zhvillohet mësimi nga një shtatori.

“Pasi të finalizohet dokumenti, do t’i shpërndahet publikut. Se a do të ketë dhe si do të realizohet mësimi në distancë, do të vendoset varësisht kushteve me krizën shëndetësore me Kovid-19. Duke e parë specifikën e sistemit tonë arsimore, si punë në shumë ndërrime, zhvillimi i mësimit në shumë gjuhë dhe paralelet e kombinuara, vështirë se do të mund të gjejmë zgjidhje të shpejtë dhe të unifikuar”, potencoi Zekirija Hasip, drejtor i Byrosë së zhvillimit të arsimit.

Idetë në draft – koncepcionin e mësimit online do të mund të dorëzohet deri më 10 korrik, ndërkaq si mangësi në mësimin online është parë:
– mungesa e strategjive afatagjate
– mungesa e njohurive teknologjike dhe pedagogjike e arsimtarëve, prindërve, inspektorëve, drejtorëve,
– dhe pajisje të këqija të TIK (teknologjisë informative kompjuteristike.