Friedrich Merz, partia e të cilit CDU ka fituar në zgjedhjet e parakoshme nacionale të Gjermanisë të dielën, ka deklaruar se konservatorët “kanë një mandat të qartë” për të formuar qeverinë.
Duke folur në një konferencë për media të hënën, Merz ka thënë se CDU-ja tani ka 11 vende shtesë në parlament, raporton BBC.
Ai ka thënë se kjo i mundëson partisë së tij që të qeverisë vetëm me socialdemokratët si partnerë koalicioni.
“Kjo është ajo që ne duam”, ka thënë Merz.
Sipas tij, partia e tij do të flasë me krerët e socialdemokratëve në ditët në vijim.
Ai ka falënderuar 40 milionë votuesit që i votuan, teksa ka përshëndetur rritjen e partisë prej 4,4% dhe 3 milionë vota më shumë se në vitin 2021.
