Kancelari gjerman Friedrich Merz, në Samitin e Procesit të Berlinit në Londër, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe u garantoi mbështetjen e tij.
“Kam theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht, edhe këtë vit mungon përparimi. Është koha që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht detyrimet e marra. Ne do të angazhohemi aktivisht në këtë proces” theksoi ai.
Merz vlerësoi miratimin e një deklarate të përbashkët për pajtim dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, e cila duhet të zbatohet në praktikë, raporton bundesregierung.de
“Jam i lumtur që kemi arritur një deklaratë të përbashkët për pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Tani duhet ta vëmë në zbatim. Sepse e ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit i çon përpara në këtë rrugë”, shtoi ai.