Merko ia bën sefte me listën e re të zezë, ambasadorja amerikane thotë se emrat e tjerë ende po shqyrtohen

TË FUNDIT

Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, njëherit edhe anëtar i kryesisë së BDI-së, është emri i parë i shpallur i padëshiruar nga SHBA nga lista të cilën ambasada amerikane tashmë gjatë kohë po e paralajmëronte.

Ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Ageler, thotë se edhe emra të tjerë po shqyrtohen nga Departamenti i shtetit dhe se beson fort që do të shpallen non-grata, megjithatë ende nuk e di kohën se, për shkak se procesi bëhet me kujdes të madh, andaj edhe zgjat më shumë.

Nuk mund të flasë për afate kohore për ndonjë shpallje të re por besoj se do të ketë, se kur do të jetë gati nuk e them dot, sepse procesi është shumë i kujdesshëm por vetëm sa për ta ritheksuar se SHBA e marrin shumë seriozisht këtë, i marrin shumë seriozisht akuzat dhe dëshmitë e korrupsionit sepse qytetarët e RMV-së e kanë të drejtën të kenë zyrtarë të zgjedhur tek të cilët mund të besojnë”, tha Angela Ageler, ambasadore e SHBA-ve.

Tash e tutje krejt puna mbetet në dorë të institucioneve të Maqedonisë së Veriut për veprime të mëtejshme, tha Ageler.

“Çfarë do të ndodhë nga këtej e tutje në këtë shtet, nuk do të supozoja asgjë. Unë jam ambasadore e SHBA-ve, nuk jam nga Maqedonia andaj nuk më takon mua të sugjeroj veprime që do të pasonin në Qeveri ose sistemin gjyqësor të këtij shteti, por shpresoj që do të vazhdojmë të punojmë bashkë me ata që kanë vullnet të mirë për ta luftuar korrupsionin”, u shpreh Angela Ageler, ambasadore e SHBA-ve.

E sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ky është mesazh  i qartë për gjyqësorin e vendit.

 “Kjo porosi është se institucionet tona, flas për autoritetet hetimore dhe gjyqësore, duhet t’i hetojnë pretendimet që janë të listuara në kumtesën e Departamentit të Shtetit. Gjithashtu duhet edhe të pyesin se si SHBA-të kanë ardhur deri tek informacione të tilla në të cilat është i bazuar vendimi i tyre, ndërsa gjenden mijëra kilometra larg nesh, kurse organet tona nuk kanë ardhur deri tek informacione të tilla gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo edhe njëherë vërteton se sistemit tonë hetimor dhe gjyqësor i duhet remont i përgjithshëm”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ambasadorja Ageler rikujton se si persona të padëshiruar SHBA i shpall ato figura për të cilat ka dëshmi të forta për korrupsion, duke e i sanksionuar kështu që të mos mund të futet në SHBA, si personi i shpallur non-grata po ashtu edhe familja e tij e afërt.

Koordinatori për Antikorrupsionin në Departamentin amerikan të Shtetit Richard Nephew, duke folur për Ramiz Merkon, në një intervistë në Zërin e Amerikës, tha se vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte përfshirë në korrupsion madhor, pra sipas tij, bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.