Merkel kërkon orë të ashpër policore

TË FUNDIT

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bundestag e ka mbrojtur amendamentin e ligjit për mbrojtje nga infektimi, që do t’i mundësojë Qeverisë federale të vendos masa në tërë vendin pa pajtueshmëri të krahinave.

“Situata është serioze, shumë serioze. Ndryshimi i ligjit duhet t’i ndihmojë vendit të dalë nga faza e tmerrshme e numrit në rritje të të sapoinfektuarve”, tha Merkel gjatë debatit.

Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për mbrojte nga infektimi duhet t’u mundësojnë autoriteteve qendrore që të vendosin masa më të ashpra të mbylljes nëse incidenca shtatëditore rritet mbi 100.

Vendosja dhe heqja e masave deri tani ishte në kompetenca të autoriteteve krahinore.

Merkel, po ashtu e ka mbrojtur edhe masën kontroverse të orës policore mes orës 21 dhe 17, që automatikisht do të vendoset në rajonet ku incidenca shtatëditore tre ditë me radhë tejkalon 100.

Pritet që ligji të miratohet nga Bundestagu, falë shumicës së koalicionit në pushtet demokristian-sociademokrat.

Votimi në dhomën e epërme të Parlamentit – Bundesrat u caktua për të enjten, ndërsa ligji mund të hyjë në fuqi më 26 prill.