Mërgimtarët nga rajoni i Dibrës, të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA dhe në vendet e Evropës Perëndimore, vazhdojnë të kontribuojnë me donacione për nevojat e Myftinisë së Dibrës.
- Donacioni i radhës, një mini-ekskavator, iu dhurua Myftinisë nga mërgimtarë në SHBA, të cilët dëshironin të mbeteshin anonimë. Ky mjet do të përdoret për kryerjen e shërbimeve mortore, si dhe për mirëmbajtjen dhe pastrimin e varrezave të qytetit, njoftuan nga Myftinia.

Po ashtu, bashkatdhetari Demir Demiri, i cili jeton dhe punon në Gjermani, ka siguruar kondicionerë të reja për xhaminë në lagjen “Konjare e Re”.

Ndërkohë, për të njëjtin objekt fetar, ditëve të fundit vëllezërit Popinara, vendosën dyer të reja në hyrjen kryesore dhe në hyrjen e hapësirave për nxënësit.

Nga Myftinia shprehën mirënjohje të madhe për donatorët, duke u uruar atyre dhe familjeve të tyre shëndet të mirë dhe mirëqenie.
Mërgimtarët dibranë kontribuojnë rregullisht me mjete financiare dhe pajisje për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm të Dibrës, si dhe ndihmojnë familjet në rrezik social.
