Mërgimtarët presin me muaj për pasaporta, apelojnë që të përforcohen kapacitetet në ambasadat e Maqedonisë së Veriut

TË FUNDIT

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në mërgim presin me muaj për nxjerrjen e dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit. E në disa vende nuk ka as terminë të lira. Ky është një njoftim nga ambasada e Bonit në Gjermani.

“Aktualisht, termine të lira ka në shtator 2024. Nëse koha e pritjes ju përshtatet, ju lutemi na jepni përsëri të dhënat tuaja personale në mënyrë që të mund të caktojmë një termin specifik”, thonë Ambasada në  Bon të Gjermanisë.

Kasami, i cili jeton në Zvicër thotë se ka fotografuar vajzën e tij për pasaportë me 15 dhjetor por ende nuk ka informacione kur do të jetë gati.

“Terminin unë që pata për vajzën time, ka kaluar një muaj e gjysmë dhe nuk kemi ndonjë informacion se sa do të zgjasë, a do të bëhet për 6 javë, 8 javë ose më tepër”, thotë Kasam Selimi – mërgimtar në Zvicër.

Kasami tregon se termini caktohet lehtë nëpërmjet e-mailit, ndërsa në Bern të Zvicrës nga fillimi i janarit nga Maqedonia e Veriut është sjellë edhe një punëtor shtesë për fotografim të qytetarëve për pasaporta, që të ndihmojë në përshpejtimin e procedurës dhe se kjo pikë e re do të funksionojë për një muaj. Ai apelon te organet kompetente që ky stacionar të qëndrojë i hapur më gjatë, meqë në këtë shtet jetojnë rreth 70 mijë qytetarë nga vendi ynë.

“Apeli im deri te kryeministri, ministri i Jashtëm dhe te çdokush që ka ndikim në këtë punë është që tu dilet në ndihmë mërgimtarëve dhe të lihet ky stacionar, fotoaparati pak më gjatë në shërbim tonin dhe ma merr mendja që do të furnizohen mërgimtarët tanë me pasaporta”, pohon Kasam Selimi – mërgimtar në Zvicër.

Përndryshe pas 12 shkurtit pasaportat me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë do të shpallen jo valide. Qytetarët që punojnë ose jetojnë jashtë vendit për të ardhur në Maqedoninë e Veriut duhet të nxjerrin fletëudhëtim.

“Shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut që banojnë në ndonjë shtet të huaj e që nuk kanë nxjerrë dokumente të reja udhëtimi  deri më 12 shkurt 2024, mund të kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut me Fletëudhëtim të lëshuar nga përfaqësia më e afërt diplomatike a konsullore e Maqedonisë së Veriut. Ftojmë shtetasit tjerë që ndodhen jashtë vendit dhe që nuk kanë mundësi të pajisen me dokumente të reja udhëtimi përmes përfaqësive diplomatike dhe konsullore, ta bëjnë këtë në vendin tonë , për shkak të pamundësisë së dorëzimit të tyre përmes postës”, thonë nga MPJ.

Mërgimtarët me këto fletëudhëtime mund të vijnë në vendin tonë, por për tu kthyer sërish në vendet ku jetojnë u duhet të nxjerrin dokumentet e udhëtimit, gjë për të cilën në vendin tonë pritet me muaj të tërë.