Ardhja e mërgimtarëve, por edhe festa e Kurban Bajramit e ka paralizuar Tetovën. Për shkak të trafikut të dendur, është thuajse e pamundur të lëvizësh në qendër të qytetit. Edhe pse policia është në terren, dhe mundohet që të rregullojnë komunikacionin rrugor, numri i madh i veturave ua vështirëson punën së tepërmi. Komuna e Tetovës ka hapur oborret e shkollave, duke i shndërruar ato në parkingje ndërsa ka shtuar edhe kapacitet për pastrimin e qytetit.
“Në çdo verë kur ne kemi rritje të fluksit të makinave ne hapim oborret e shkollave, shërbimet e parkimit punojnë në mënyrë të njëjtë, kemi shtuar kapacitete tek mbetjet se ata shtohen në këtë periudhë kohore, kemi vazhduar edhe me programet kulturore pasi që mendoj se mes tjerash për komunikimin tonë ka të bëj edhe kultura”, tha Teuta Arifi – kryetare e Komunës së Tetovës.
E krahas makinave të shumta, Tetova ka edhe një problem tjetër, sidomos gjatë festës së Kurban Bajramit. Ajo është hedhja e mbetjeve nga kurbanet, të cilat tashmë janë hedhur në disa pjesë të qytetit. Nga komuna bëjnë apel që mbetjet organike të mos hidhen në koshat e zakonshëm të plehrave ose në lumin Shkumbin pasi që kështu ndotet mjedisi por ka rrezik edhe nga përhapja e sëmundjeve të ndryshme. Po disa qytetarë që anketuam thonë se autoritet duhet të angazhohen më shumë sepse tani është shumë vonë ndërmerren masa për komunikacionin edhe pastërtinë.
“Duhet të ndërmerren hapa se kjo është katastrofë”, tha një qytetar.
“Tash vështirë është, si kanë ardhur këta të kurbetit, është vështirë. Edhe më përpara ka qenë, por tashmë është vështirësuar gjendja dyfish”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Është dashur që më para të rregullohen, dhe jo tani të presim këto tollovi në rrugë, e shihni edhe vetë, shumë vonë, vonë. Unë për vete veturën e kam lënë në fund të qytetit dhe eci në këmbë”, deklaroi një tjetër qytetar.
Qyteti i Tetovës në këtë periudhë është i stërmbushur me mbeturina sidomos në dalje të qytetit të Tetovës, ndërsa në kosha mbeturinash gjen të hedhura edhe mobilje apo materiale ndërtimore.
