Tre kandidatë shqiptarë për të pari e Komunës së Kërçovës. Shkodran Alili si i pavarur, Fatmir Limani nga VLEN dhe ndonëse ende i pakonfirmuar, me shumë gjasa Fatmir Dehari nga Fronti Europian. Përveç tyre, pritet që kandidatë të kenë edhe VMRO-DPMNE dhe LSDM. Me kaq kandidatura, është më se e qartë se do të ketë raund të dytë zgjedhjesh, por kjo nuk po i pëlqen mërgatës, sidomos asaj shqiptare, e cila vjen enkas në zgjedhje për të votuar. Në një rast të këtillë, do të duhet të vijnë dy herë radhazi për një periudhë të shkurtër. Ata kërkojnë unifikim të votës shqiptare.
“Më e mençura do të jetë që të dilet me një kandidat, jo me dy me tre sepse mërgimtarët nuk do të vijnë herën e parë duke u ruajtur për raundin e dytë dhe ka mundësi ta humbasim të parën, herën e dytë dhe të tretë pastaj s’ke nevojë të vish fare, janë shpenzime të dyfishta, njerëzit janë të revoltuar, gjenerata e re që shpërngulet viteve të fundit nuk do të vijnë sepse ata kanë ikur nga ky vend sepse se kanë gjetur veten në këtë shtet. Kësaj radhe do te jetë rëndë dhe vështir edhe një me një jo 3 me 1”, tha Shpëtim Pasholli, aktivist në diasporë.
Aktivisti tjetër, Rexhep Bajrami thonë se unifikimi votës shqiptare në Kërçovë duhet sepse rinia e diasporës nuk ka interes që të vijnë të votojnë nga dy apo tre herë, sepse kanë lindur e janë rritur atje dhe interesin për vendlindjen e kanë të plogësht.
“Luten të gjithë subjektet politike që të gjejnë një marrëveshje, të gjejnë një unitet që të dilet me një kandidatë dhe atëherë sigurisht shpresat janë të mëdha se do të fitojë kandidati jonë sepse me dy kandidatë ne e dimë”, u shpreh Rexhep Bajrami- aktivist në diasporë dhe vendlindje.
Nja grup nga diaspora kanë marrë iniciativë për një kandidat të përbashkët, por që sipas asaj që mësoi TV21, këtë nismë e ka nënshkruar vetëm një lider partie, ndërsa të tjerët nuk janë pajtuar.
Sa i përket VMRO-DPMNE-së, pritet që për këtë qytet të garojë Aleksandër Jovanovski, ndërsa nga radhët e LSDM-së ku pritet që emri i kandidatit të shpallet brenda javës.