Kancelarja gjermane Angela Merkel i porositi bashkëqytetarët e saj t’i kufizojnë kontaktet sociale dhe ta reduktojnë udhëtimin në minimum, pasi ishte konfirmuar rritje më e madhe ditore e numrit të pacientëve të rinj të infektuar me Kovid-19 në shtet.
Nëse qytetarët e Gjermanisë nuk i reduktojnë kontaktet e tyre, “të gjithë së bashku do të përballemi me sfida të mëdha që ky virus i paraqet”, tha kancelarja.
Edhe pse nuk është prekur nga pandemia si edhe disa vende evropiane, rritja ditore e numrit të infektimeve të reja në Gjermani vazhdon të rritet. Javën e kaluar, Gjermania për herë të parë publikoi se virusi është konfirmuar te më shumë se 10.000 persona për një ditë, ndërsa sot ai numër ishte 14.714, që është bilanc më i lartë ditor nga fillimi i pandemisë.
