Prodhuesi gjerman i automjeteve, Mercedes-Benz, planifikon të zhvendosë pjesë të prodhimit të vet të automjeteve nga Berlini në Poloni, si përgjigje ndaj konkurrencës në rritje nga Kina dhe kostove të larta operative në Gjermani.
Mercedes pritet të mbyllë gradualisht fabrikën në Ludvigsfelde, afër Berlinit, deri në fund të vitit 2029, ku aktualisht punësohen më shumë se 2,200 persona. Kjo fabrikë, që ka qenë shtylla e industrisë në Brandenburg për më shumë se 30 vjet, prodhon rreth 60,000 variante të specializuara të furgonit Sprinter dhe automjete elektrike në vit, raporton kanali polak TVP World, duke iu referuar mediave polake.
Prodhimi i e-Sprinter, versioni elektrik i furgonit të njohur për transport, do të zhvendoset në Poloni, gjë që ka shkaktuar polemika mes sindikatave gjermane dhe autoriteteve lokale. Tobias Kunzmann nga sindikata më e madhe gjermane IG Metall njoftoi se do të ketë protesta në Ludvigsfelde, duke e quajtur këtë vendim të papranueshëm.
Sipas mediave gjermane, kostot e punës në Gjermani aktualisht janë pesë herë më të larta se në Poloni, e cila është prodhuesi i dytë më i madh i baterive për automjetet elektrike në botë, pas Kinës. Gjiganti gjerman i automobilave do të ndërtojë një fabrikë të re në Jawor, në jugperëndim të Polonisë, ku Mercedes-Benz prodhon motora dhe bateri për automjete hibride që nga viti 2019.
Mercedes synon të krijojë të paktën 300 vende të reja pune deri në vitin 2027, përfshirë 30 pozicione për profesionistë me arsim të lartë, si pjesë e një investimi të planifikuar prej 1,528 miliardë złoti (rreth 360 milionë euro), sipas gazetës polake Rzeczpospolita.
