Merali, Flora dhe Dragana mezi marrin frymë! Presin me muaj për ilaçin që duhet ta siguroj shteti

TË FUNDIT

Këto 3 vajza kanë sëmundje të rrallë. E ka dy muaj që presin ilaçin që u nevojitet për të marrë frymë pa aparate ndihmëse, e të ecin lirshëm. Më e vogla prej tyre është Meralja 12 vjeçare.  Për shkak të mungesës së ilaçit tash dy muaj nuk mund të dale të luaj me shoqet e saja.

“Kur e kam pasur ilaçin shumë mirë isha. Tash kam ra shumë. Më shumë gjatë ditës inhaloj, ha çfarë mund të ha por me dal nuk guxoj, nuk mundem. Më dahet fryma menjëherë”, theksoi Meral Zekiri.

 Flora Gashi mezi rrinte në ulësen e parkut të qytetit, pasi ilaçin nuk e konsumon gjendja e saj është përkeqësuar.

 “Kam ra shumë fizikisht dhe psiqikisht. Nuk mundem as me ec. Asgjë nuk mundem të bëjë. Asnjë punë nëpër shtëpi. Kam qejf të jam si më herët. Po ndjehem shumë keq për momentin. Sot do të shkoj prap të marrë terapi natën. Nuk dua të shkoj nëpër spitale më. Dua të jam e lirë ashtu siç kam qenë më herët me përdorimin e ilaçit”, u shpreh Flora Gashi.

Vajza tjetër Dragana thotë se me frikë bie të flejë pasi nuk di a do të zgjohet të nesërmen.

„Çdo ditë bie të flejë me lutje që të nesërmen të zgjohem. Nuk e di. U lus që ta sigurojnë ilaçin. Kështu nuk jetohet. Dua që si çdo njeri normal të punoj, të ec, të mos jam e varur prej askujt”, potencoi Dragana Gjorgjievska.

Njëri prej prindërve tha se Filipçe u ka premtuar ilaçin për 10 ditë. Ata po presim me padurim se fëmijët e tyre varen nga këto ilaçe.

 “Ma dha besën z. Filipçe dhe më tregoj se po bëjnë çmos që ti sjellin sa më shpejtë. Më tha brenda 10 ditëve do t’i sjellin. Ishallah i sjellin.  Çdo prind për fëmiun e tij shpirtin e jep. Kryesorja fëmiun ta kam shëndosh e rahat”, deklaroi Afrim Gashi – prindër.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se ilaçi Kalideo duhet të mbërrijë javën tjetër. Shpjegon se ilaçi është vonuar pasi mjekët kanë shqyrtuar efikasitetin e ilaçit.

 “Duhej që ta prisnim raportin nga ekspertët, nga mjekët, nëse ai ilaç ka efekt sepse jo të gjithë pacientët janë me fibrozë cistike, por vetëm pacientët që kanë një mutacion specifik gjenetik. Kështu janë selektuar të tre pacientët. Ka filluar procedura, ilaçi duhet të mbërrijë javën tjetër”, u shpreh Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Deri sa të vijë ilaçi, Merali, Flora dhe Dragana përsëri do të jenë të lidhura  për aparatin e oksigjenit, por edhe të shtrirë në spital duke marrë vazhdimisht terapi.