Mënyra të thjeshta për të hequr pesticidet nga frutat dhe perimet

TË FUNDIT

Ngrënia e frutave dhe perimeve me përmbajtje ose gjurmë pesticidesh mund të shkaktojë akumulim të toksinave në trup, diçka që mund të sjellë pasoja në shëndet. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë blerës po u drejtohen produkteve organike.

Gjithsesi, e mira është të siguroheni gjithmonë që i keni larë e pastruar mirë perimet e frutat, pavarësisht se shitësit mund të pretendojnë se janë 100% organike apo bio. Më poshtë janë disa këshilla të vyera së si mund t’i largojmë pesticidet e pranishme në fruta dhe perime.

Qërojuni lëkurën

Fruta dhe perime si mollët, portokajt, avokadot, patatet, panxhari, qepët mund të jenë të pastra nga pesticidet nëse u qëroni lëkurën. Vetëm mos harroni t’i shpëlani me ujë të vakët pasi t’i keni qëruar për të larguar çdo gjurmë pesticidi nga sipërfaqja e tyre.

Shpëlajini me ujë të vakët dhe fshijini me leckë

Shpëlani frutat dhe perimet e freskëta me ujë të vakët. Ekspertët thonë se uji i vakët, çuditërisht është më efektiv se uji i nxehtë në largimin e tyre. Është gjithashtu një ide e mirë që pas shpëlarjes t’i fërkoni ato me një leckë të lagur për të eliminuar çdo papastërti apo kimikat të vështirë për t’u hequr.

Zhytini në ujë me kripë

Frutat dhe perimet tek të cilat përdoren më shumë kimikate mund të pastrohen duke i zhytur në një tas të madh me ujë të vakët ku keni tretur gjysmë lugë çaji kripë. Më pas shpëlajini me ujë të vakët.

Solucion me uthull

Tek frutat dhe perimet, lëkura e të cilave përthith kimikate, mund të përdoret një solucion me uthull. Në një tas me ujë të vakët, trazoni një lugë gjelle uthull. Zhysni produktet që keni blerë dhe më pas lajini mirë.

Përgatisni një sprej me limon dhe sodë buke

Përgatisni një sprej me një lugë gjelle limon dhe dy lugë gjelle sodë buke. Tundeni mirë. Spërkatni frutat dhe perimet pasi t’i keni larë me ujë të pastër dhe fshijini me një pecetë.