Natën e kaluar në Indian Wells, tenisti rus Danil Medvedev shkroi një faqe të re në karrierën e tij, duke e mposhtur Carlos Alcaraz në gjysmëfinale me rezultatin 6:3, 7:6 (7:3). Ndeshja zgjati 1 orë e 38 minuta dhe ishte një përballje plot intensitet.
Medvedev, 30-vjeçar dhe i renditur i 11-ti në botë, shënoi katër asa, nuk bëri asnjë dubl-gabim dhe shfrytëzoi me sukses të dy topat e break-ut që pati. Nga ana tjetër, numri një i botës, 22-vjeçari Alcaraz, pati dy asa, dy dubl-gabime dhe shfrytëzoi vetëm një nga pesë mundësitë për break.
Në finale, Medvedev do të përballet me italianin Jannik Sinner, i cili arriti të eliminojë gjermanin Alexander Zverev në gjysmëfinale. Takimi për titull është caktuar për sonte në orën 22:00.
Para finales së meshkujve, nga ora 19:00, do të luhet edhe finalja e femrave, ku do të ndeshen Arina Sabalenka nga Bjellorusia dhe Elena Rybakina nga Kazakistani.
Turneu Masters në Indian Wells, i cili ka një fond çmimesh prej 9,4 milionë dollarësh, po ofron emocione të mëdha për tifozët e tenisit në të gjithë botën.
