“Më vijnë lotë sa herë që shoh njerëzit tanë që presin para bankomatit.”
Me këtë fjali në intervistën për RTS nga Tirana, Aleksandër Vuçiç nisi një lum akuzash në drejtim të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit duke u kapur pas çështjes së dinarit, e duke thënë se dy liderët e Kosovës dëshirojnë t’i dëbojnë serbët, por u zotua se Serbia do t’i sigurojë para popullit të saj.
Por më shumë sesa pohimet patriotike, në mediat serbe dhe Beograd ka bërë jehonë fakti se me kërkesën e Presidentit serb janë hequr dy pika të rëndësishme nga deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve në samitin Ukrainë-Europa Juglindore, që përcaktonin sanksionimin e Rusisë për luftën dhe ndikimin malinj në Ballkan.
Edhe vetë Vuçiç u mburr në intervistë për këtë arritje, por edhe për faktin se është hequr nga kjo deklaratë përcaktimi si “shtete” për vendet pjesëmarrëse, duke qenë se Serbia nuk e njeh Kosovën si të tillë.
“Nuk ka sanksione, nuk përmenden sanksionet në deklaratën e përbashkët, gjë që është e rëndësishme për ne, nuk përmendet ndikimi keqdashës rus. Kur u pajtuam që ato fjalë të mos përfshiheshin, Osmani kërkoi që të votohej sërish, por ajo nuk e mori këtë të drejtë. Kjo është lloji i qasjes ku vendi ynë duhet të vihet nën presion të madh çdo herë. Nëse do t’ju thoja se i kujt ishte propozimi i parë për sanksione, njerëzit më të fuqishëm e kërkuan atë. Ne jemi i vetmi vend këtu që nuk do të anëtarësohemi në NATO, njerëzit tanë e dinë pse…”, tha Vuçiç nga Tirana.
