Ekipi i medaljeve të fituara deri më tani në Lojërat Evropiane Minsk 2019, u kthye në Kosovë.
Xhudistja Majlinda Kelmendi tha se po ndjehet mirë që triumfoi në këto Lojëra Evropiane dhe deklaroi se kjo medalje i ka munguar asaj.
“Sigurisht që po ndjehem shumë mirë, hera e parë që kam marrë pjesë në Lojëra Evropiane. Kjo ka qenë medalja që më ka munguar. Më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti që jam e para dhe kam qenë në Kampionat, për shkak që nuk kam garuar qe një kohë të gjatë. Kjo medalje e rrit vetëbesimin tem që jam në formë të mirë dhe që jam gati ta vazhdoj karrierën aty ku e kam lënë.”, tha ajo dhe shtoi se ishte e vështirë për të që ishte jashtë garave.
Trajneri Driton Kuka tha se është shumë i kënaqur me performancën e shkëlqyer të garuesve dhe shpreson se kjo është një pikënisje për cakun e tyre. Ndërsa, tha se emocion i veçantë ka qenë momenti kur xhudistja Loriana Kuka, njëherit mbesa e tij mori medaljen e parë.
Xhudistja Nora Gjakova tha se kjo medalje po e motivon edhe më shumë dhe se qëllimi i saj mbetet Tokio.
“Ndjenjë shumë e mirë, kënaqësi me qenë në podium, pavarësisht çfarë gare është, sidomos në një garë të nivelit të tillë. Dëshira ime e madhe ishte me qenë kampione evropiane. Jam e kënaqur që gjithçka ka shkuar mirë. Kjo medalje po më motivon edhe më shumë, qëllimi jem mbetet Tokio”, tha ajo dhe shtoi se është gëzuar për të dy medaljet, atë të Majlindës dhe të Lorianës, por medalja e kësaj të fundit e gëzoi edhe më shumë, sepse ishte hera e parë për të.
Më 22 qershor, xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”. Heroina kosovare mposhti në finale me Ippon kampionen e deritashme të Evropës, rusen, Natalia Kuziutina, të cilës i nxori ‘hakun’ për Distria Krasniqin, e cila kishte humbur në finalen e evropianit të kaluar nga kjo garuese. Në Minsk, Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë. Ajo për pak nuk ia doli të fitojë medaljen e artë, të dytën për Kosovën në Lojërat Evropiane Minsk 2019. Kampionia jonë u mund në finale nga rusja, Daria Mezhetskaia, në finalen e kategorisë -57 kg. Ndërsa dje, Loriana Kuka fitoi medaljen e bronztë. Loriana mposhti gjermanen Luise Malzahn në kategorinë -78 kilogramë dhe me këtë fitoi të bronztën në Lojërat e Dyta Evropiane Minsk 2019. Kosova e nisi të premten garën në Lojërat Evropiane Minsk 2019, të cilat do të zhvillohen deri më 30 qershor./21Media
