Më shumë se 900 ushtarë pro-turk nga Siria janë kthyer në vend pas përfundimit të luftimeve në Nagorno-Karabah, kumtoi sot Observatori sirian për të drejtat e njeriut.
Më 9 nëntor, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan marrëveshje armëpushimi pas disa javësh konflikt në Nagorno-Karabah.
Turqia, e cila e mbështet Azerbajxhanin është akuzuar për dërgimin e trupave siriane në rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit me shumicë armene, gjë që presidenti Rexhep Tajip Erdogan e ka mohuar.
“Më shumë se 900 ushtarë nga fraksionet pro-turke janë kthyer në Siri në disa raste”, kumtoi organizata joqeveritare.
“Ata janë kthyer në territoret e kontrolluara nga Turqia në Sirinë veriore”, deklaroi Rami Abdel Rahman, drejtor i Observatorit.
Ai thotë se gjithsej 2,580 ushtarë sirianë janë dërguar në Azerbajxhan, ndërsa në përleshjet kanë vdekur 293 ushtarë.
Franca kohët e fundit bëri thirrje për “mbikëqyrje ndërkombëtare” të armëpushimit në Nagorno-Karabah, veçanërisht për ta garantuar largimin e ushtarëve të huaj.
