Ky është Niam Abdurahmani, mjeshtër i çiftelive.
Çdo të enjte, ditë tregu në Tetovë, mund ta gjesh duke shitur çiftelitë që ka punuar.
Sot e gjetëm në panairin e organizuar për festat e nëntorit, ku u përurua edhe rruga e rikonstruktuar e butikëve.
Tregon se blerësit më të madhej janë mërgimtarët.
“Për çiftelinë përdoret druri qershisë, pajës, manit dhe këto janë drurët më të mirë për prodhimin e tyre. Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humb. Interesim kam boll, më tepër kanë mërgimtarët por edhe këta të vendit, kush ka mundësi e blen. Kjo çifteli kushton 100 euro më e madhja është kjo”, tha Naim Abdurahmani, punues çiftelish.
Një artizanat tjetër tradicional për të cilin ende ka interes janë dimitë. Qepësi i tyre thotë se të ashtuquajturat “dimijat e mjara” janë të veçanta për shkak të ngjyrës dhe punimit.
“Shumica janë veshje rajonit të Pollogut por dhe në të gjithë rajonet vishet. Punimet janë unike dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin “gold”, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punes i dimive.
Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë si edhe projekti për rregullimin e “Rrugës së Butikëve” me kalldrëm, është në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mes komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, financuar nga fondet IPA.
“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saja, me kalldrëm kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale”, deklaroi Bilall Kasami
Parashihet që brenda ditës në këtë rrugë të mos kalojnë makinat, por të shfrytëzohet vetëm si pedonale.
