“Me ndryshimet ligjore kursejmë para dhe kohë”, Grubi: S’ka politikan që do të hynte në veprime korruptuese me SHBA

TË FUNDIT

Ndryshimet ligjore për korridorit 8 dhe 10D nuk janë të mëdha dhe thelbësore, mirëpo janë të patjetërsueshme që projekti të kryhet shumë më shpejtë apo, për 57 muaj dhe të kushtojë për dhjetëra mijëra euro më lirë. Kështu u shpreh zv/kryeministri i parë Artan Grubi, njëherit edhe koordinator i këtij projekti, i cili thotë se ndryshimet ligjore nuk kërkohen nga “Bechtel dhe Enka”, por nga deputetët, pasi të njëjtit kanë bërë konsultime me kolegët në Kroaci, Shqipëri, Kosovë dhe Rumani.

“Kur u pa se ku ka ngecje në legjislacionin tonë dhe si do të mund NPRrSh, kadastra dhe çështjet e së drejtës së pronësisë dhe institucionet e tjera, të jenë më të përgjegjshëm ndaj kërkesave të kontraktuesit të punës. Të shpronësohen tokat, të jepen lejet  dhe për këtë konkluduam se duhet të kishte ndryshime në disa ligje që projekti të kryhet më shpejtë dhe të kushtojë më lirë”, tha Artan Grubi – koordinator i projektit.

Për zv/kryeministrin e parë akuzat për korrupsion janë të pabaza. Vlerëson se nuk ka politikan që do të hynte në veprime korruptuese me një kompani serioze si Bechtel dhe Enka ose me shtetet si SHBA dhe Turqia.

“As unë, as Boçvarski, as Besimi, e aq më pak kryeministri Kovaçevski nuk do i lejonim vetvetes që të lëshohemi në çfarëdo veprimi korruptues. Të gjithë ne këtë e kemi projekt të jetës sonë dhe duam që të jetë i suksesshëm. Nëse një denarë keqpërdoret nga ky projekt, nga qytetarët. Ose nëse korruptohet cilido prej nesh, politikanëve, të dergjemi përjetësisht në burg”, deklaroi Artan Grubi – koordinator i projektit.

Sa i përket opozitares maqedonase VMRO DPMNE,  Grubi tha se i ka ofruar Miskoskit që të jenë pjesë e projektit, ndërkaq shtoi se ky projekt dallon shumë, pasi qeveria e VMRO-së “ka hedhur miliarda” në stiropor dhe përmendore, ndërsa qeveria aktuale po investon në autostrada.

“Hodhën 1 miliard në stiropor dhe përmendore, e ne me këtë 1 miliard po bëjmë autostrada për të lidhur qytetarët tanë, qytetet tona dhe shtetet tona”, tha Artan Grubi – koordinator i projektit.

Më tej në ekspozenë mujore “Bechetl dhe Enka mundësi, sfidë dhe përgjegjësi” u diskutua edhe çështja e qasjes së kontratës. Sipas Grubit, kontrata nuk është sekrete, por ka pika të veçanta që nuk mund të publikohen dhe mohon që kontrata parashikon pagesën e gjobave.