Pas pothuajse 6 muajve që kur u mbyllën çerdhet nga Covid-19 sot edhe në qytetin e Kërçovës të njëjtat u hapën me kapacitet të përgjysmuar.
Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari doli në inspektim për të parë procedurën e hapjes së çerdheve.
Ai tha se urojnë që ky vit të jetë i mbarë dhe të zhvillohet gjithçka pa probleme, gjithmonë duke ndjekur protokollet e Komisionit për Sëmundje Infektive.
Ndërsa drejtori i çerdhes “Olga Miceska” në Kërçovë, Sadik Ahmeti tha se kanë filluar me kapacitet të përgjysmuar gati 60 përqind dhe me të gjitha protokollet e parapara me ligj me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve nga Covid-19.
Në Kërçovë në dy ish-komunat Zajaz dhe Osllome nuk ka çerdhe, në vitin 2017 gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale ky ishte një nga premtimet e Fatmir Deharit por deri me tani ende nuk ka ndonjë projekt për hapjen e çerdheve në këto dy zona./TV21

