Pas një viti e tre muajsh, qytetari nga Prizreni, Ceki Hoti, ka shkuar në destinacionin e tij, të cilin e kishte nisur nga Kosova për në shtetin e Indonezisë.
I njëjti ka bërë të ditur se ka mbërritur në qytetin Bau Bau të Indonezisë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm me biçikletë.
Hoti, me anë të një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë personat të cilët e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij.
Ai ka treguar sfidat që kaloi, duke përmendur luftëra e tajfune.
“Duke marrë parasysh pasaportën, mungesat e ambasadave, mbështetjen nga shteti, kalimin në tri luftëra, një stuhi shiu në shkretëtirë, që vetëm Zoti e di si kam dalë gjallë, një tajfon, vërshime, situata tepër të rrezikshme, banda të ndryshme, kafshë të egra, mungesa të vizave, pa ekip mbështetës, një njeri i vetëm. Por, pa marrë parasysh të gjitha këto, kur thua ‘e bëj’, o bëje, ose mos ia fillo hiq”, ka thënë Hoti.
Hoti ka pohuar se ka kaluar 17 shtete e gati 23,000 kilometra për një vit e tre muaj.