Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se me BDI-në gjithçka deri më sot ka qenë e mundur dhe me BDI do të jetë e mundur që të arrihet që të bëhet edhe pozicioni i kryeministrit shqiptar. Arbër Ademi tha se BDI tash ka vlerësuar se është koha për pozicionin kyç në pushtetin ekzekutiv, atë të kryeministrit.
“Ju e dini se BDI është inaugurues i konceptit të konsensualitetit. Me konsensus është zgjedhur edhe krye parlamentari shqiptar, me konsensus janë arritur edhe pozicione të tjera të cilat kanë qenë të paprekura dhe të rezervuara në aspekt të përkatësisë etnike. Me BDI gjithçka ka qenë e mundur deri më sot dhe me BDI do të arrihet që të bëhet edhe kryeministri shqiptarë,” tha Arbër Ademi, BDI.
Kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar gjatë këtyre zgjedhjeve LSDM e quan hap populist dhe se kjo lloj fushate do t’i çojë integristët në opozitë.
“Ky është hap populist, hap i rrejshëm i BDI-së i veshur me nacionalizëm dhe asgjë më shumë dhe i bërë për kalkulime partiake politike dhe them se ky lloj I fushatës është keq për BDI-në. Me këtë lloj fushate një është e sigurt se BDI do të shkoje në opozitë dhe do të humb vota,” tha Zoran Zaev, LSDM.
Por BDI beson se populli shqiptar edhe gjatë këtyre zgjedhjeve do të ju mundësoje fitore BDI-së dhe do ta bëje vendimtare për formim të Qeverisë.
“Besojmë se populli shqiptar BDI ashtu siç e bëri vendimtarë në zgjedhjet e 2016 për formimin e koalicioneve qeverisëse do ta bëje vendimtare edhe kësaj radhe dhe pa BDI nuk do të ketë Qeveri dhe pa kërkesën e BDI-së sigurisht nuk do të mund të formohet edhe një qeveria eventuale,” tha Arbër Ademi, BDI.
Në ndërkohë që asnjëra nga partitë shqiptare nuk e kundërshtojnë idenë për kryeministër shqiptarë por Lëvizja Besa e ka quajtur si ide populiste dhe vetëm për përfitime të pak poenëve politik. Aleanca për Shqiptarët thonë se kjo ide buron nga frika e tyre e humbjes dhe pyesin se pse BDI nuk e kërkoi këtë gjë në 6 palë zgjedhje të fituara. Alternativa e quan si tallje me shqiptarët ndërsa PDSH si manipulim i rëndë dhe se me këtë gjë do të mbledhë votat e shqiptarëve.
