Më 1 maj skarë e birrë apo…LSM thirrje për protesta masive, kërkon page minimale prej 500 eurove

TË FUNDIT

Lidhja e sindikatave të Maqedonisë u bëri thirrje punëtorëve për protesta masive më 1 maj me qëllim që të luftojnë për pagë minimale prej 500 eurove dhe rritje të të gjitha pagave në vend për 100 euro. Kreu i Sindikatës, Sllobodan Trendafillov, thotë se ka përfunduar koha për zgarë në atë ditë dhe se masiviteti është kyç për shkak se për momentin të gjithë janë kundër LSM-së dhe punëtorëve.

“Momentalisht të gjithë janë kundër LSM-së, duke përfshirë edhe Qeverinë, punëdhënësit dhe sindikatat tjera vetëm për shkak se kërkojmë rritje të pagave, për shkak se kërkojmë rritje të pagës minimale dhe për shkak se kërkojmë paga dinjitoze dhe kushte dinjitoze për punë. Punëtorët duhet të inkurajohen dhe të rreshtohen së bashku me ne. Askush nuk mund t’i kërcënojë punëtorët dhe sindikatat”, tha Sllobodan Trendafillov – kryetar i LSM-së.

Trendafillov thotë se Qeveria qëllimisht zvarritë konfirmimin se cila sindikatë ka të drejtë për përfaqësues, që do të thotë se mund të jetë pjesë e Këshillit socio-ekonomik ku janë përfaqësuesit e Qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatat dhe ku vendoset për pagën minimale. I pari i LSM-së nuk e di kur do të konfirmohet reprezentimi, por thotë se Qeveria me sulme ndaj sindikatës po bën gjithçka që të mos arrihet marrëveshje për pagën minimale.

“Porositë që i dërgoi Qeveria në dy muajt e fundit ndaj punëdhënësve janë që assesi të mos ulen për të biseduar për rritjen e pagave dhe sa më fuqishëm që munden të na sulmojnë neve si LSM. Për fat të keq”, shtoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Sipas Trendafillov, Qeveria mund të refuzojë kërkesën për rritjen e pagës minimale por thotë se punëdhënësit nuk e kanë hedhur poshtë propozimin që të mos paguhen kontributet në afat prej 12 muajve të rritjes prej 100 eurove, përkatësisht të dallimit nga paga e tanishme minimale që është 400 euro, deri te 500 eurot që i kërkojnë. Për Qeverinë ky subvencionim nuk është i pranueshëm. Përndryshe sindikatat në ftesë personale të Kryeministrit Mickoski para një jave kishin takim në Qeveri, ku është biseduar për marrëveshjet kolektive dhe pagën minimale.