Turistë nga Turqia, Polonia, Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Serbia, Kosova, Holanda dhe grupe më të vogla nga Danimarka dhe Norvegjia janë turistët që e vizituan vendin tonë gjatë festave. Janë mbushur 70% të kapaciteteve hotelierike, ndërsa në akomodimin privat përqindja është edhe më e lartë. Në mes të muajit priten fluturime çarter në Ohër nga partnerët tradicionalë.
“Gjatë festave për Pashkët dhe Fitër Bajram, me fillimin e sezonit turistik, në qendrat tona turistike ka rritje prej 30-40%. Presim që viti 2022 të jetë më i suksesshëm nga 2021, ndërsa motiv i madh për një gjë të tillë është Organizata botërore turistike e cila Maqedoninë e rendit në vendin e pestë për nga rritja e numrit të turistëve në 2021”, tha Lupço Janevski, drejtor i Agjencisë për Promovim dhe Përkrahje të Zhvillimit të Turizmit.
Nga Asociacioni i ciceronëve turistikë thonë se turistët janë të inkurajuar për të udhëtuar megjithatë numrat ende janë nën numrat që i kishim para pandemisë. Me zbutjen e masave për hyrje dhe dalje nga vendi ynë dhe me sjelljen e vendimeve në shtetet e tjera fqinje, shënohet rritja e butë e numrit të turistëve.
“Këtë ditë kishim mysafirë. Unë isha pjesë e një grupi me turistë nga Turqia. Më duhet të theksoj se gjatë viteve të kaluara më së shumti vizitorë kishim nga Turqia”, pohoi Elvir Sadikoviq, nënkryetar i Asociacionit të Ciceronëve Turistikë.
Të pastrohet të paktën pjesa qendrore e qyteteve turistike, të mirëmbahen shatërvanët, jo të lihen pas dore ashtu siç janë për momentin, nëse duam më shumë turistë, thotë Sadikoviq, me qëllim që të përmirësohet imazhi turistik.
Agjencia për promovim dhe përkrahje të turizmit vazhdon me aktivitetet në kuadër të fushatës “Askund si në shtëpi” dhe me fushatë në Poloni dhe Turqi. Do të formohen grupe më të vogla për turizëm, turizëm aktiv ku turistët do të qëndrojnë 3 e gjysmë ose 7 ditë në destinacionet e caktuara. Në 2019 në buxhetin e shtetit kanë hyrë 397,5 milionë dollarë nga turizmi dhe gastronomia, në 2021, 385,3 milionë dollarë ndërsa në 2022 priten 2,6 milionë rezervime.
