Mbrojtja në rastin Drenica 1: Besojmë në lirimin e të akuzuarve

TË FUNDIT

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, është mbajtur të martën fjala përfundimtare e mbrojtjes në lidhje me rastin Drenica 1, ku të dyshuar për krime lufte janë Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Sabit Geci, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.

Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të dyshuarit Sahit Jashari, duke lexuar fjalën e tij përfundimtare, ka potencuar se në bazë të të gjitha dëshmive të deritashme, nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij.
Avokati Rrecaj ka përsëritur bindjen e tij se përfundimi i këtij procesi gjyqësor do të rezultojë në favor të klientit të tij, por edhe të të akuzuarve tjerë.

Ngjashëm është shprehur edhe avokati i Ismet Haxhës, Mahmut Halimi, i cili në fjalën e tij përfundimtare theksoi se në asnjë provë të vetme deri tani nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij.

Seanca e radhës në rastin ‘Drenica 1’ ku pritet që edhe avokatët tjerë ta thonë fjalën e tyre përfundimtare do të vazhdojë të mërkurën më 29 prill në ora 10:00.