Administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj aleati të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili u shkarkua këtë muaj nga posti i Presidentit të territorit serb brenda Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të përpjekjeve për të minuar marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund dhunës etnike në Ballkan në vitet 1990.
Heqja e sanksioneve ndaj Milorad Dodik erdhi pas një fushate lobimi që zgjati disa muaj nga aleatë të Donald Trump, të cilët e paraqitën liderin nacionalist serb si mbrojtës të “vlerave të krishtera” në një vend me një popullsi të madhe myslimane, dhe si viktimë të së njëjtës lloj “luftë juridike” që, sipas tyre, po ushtrohet edhe ndaj presidentit amerikan.
Dodik ishte sanksionuar nga SHBA për shpërfillje të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u arrit me shumë mundim në Ohio në vitin 1995 për t’i dhënë fund Luftës së Bosnjës. Edhe pse marrëveshja ndali gjakderdhjen, ajo e ndau Bosnjën në dy njësi: Federatën, ku myslimanët boshnjakë ndajnë pushtetin me kroatët, dhe Republika Srpska me shumicë serbe, përcjell A2 CNN.
Gjatë më shumë se 20 viteve në pushtet në Republikën Srpska, Dodik ka kërcënuar vazhdimisht për t’u shkëputur nga Bosnja dhe për t’u “ribashkuar” me Serbinë. Ai ka bllokuar integrimin e Bosnjës në Europë, duke nxitur tensione etnike, takohet shpesh me Putin-in në Rusi dhe ka kultivuar atë që Departamenti Amerikan i Thesarit e ka quajtur “rrjet patronazhi korruptiv”.
Boshnjakët kishin filluar së fundmi të imagjinonin një të ardhme pa Dodik, pasi lideri afatgjatë u dënua nga një gjykatë federale e Bosnjës për cenimin e marrëveshjes së Dejtonit, iu ndalua mbajtja e funksioneve politike dhe iu hoq posti i presidentit. Por ekspertët thonë se heqja e papritur e sanksioneve ndaj Dodikut mund t’i lejojë atij të vazhdojë të dominojë Republikën Srpska, ndërsa u tregon autokratëve të tjerë në rajon se lobimi i financuar mirë mund të japë frytet e veta në Uashingtonin e Trump-it.
“Çfarë mesazhi jep ky vendim, që nëse ke lidhjet e duhura dhe lobistët e duhur, mund të hiqesh nga lista e sanksioneve? Kjo vendos një precedent negativ”, tha për CNN Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. Duke u marrë tri javë para 30-vjetorit të Dejtonit, tha ai, koha e këtij vendimi nga administrata Trump ishte veçanërisht demoralizuese.
Zyra Amerikane e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) nuk shpjegoi pse hoqi sanksionet ndaj Dodik-ut, si edhe ndaj dhjetëra aleatëve të tij, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta. CNN i ka kërkuar koment Departamentit të Thesarit.
Departamenti i Shtetit tha se vendimi u mor pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska ndërmori “veprime konstruktive” javët e fundit për “përmirësimin e stabilitetit” në vend, me gjasë duke iu referuar emërimit të një presidenti të përkohshëm në Republikën Srpska pasi Dodik u shkarkua në gusht dhe, pasi fillimisht kërcënoi se do t’i sfidonte autoritetet boshnjake, u tërhoq më herët këtë muaj.
Dodik vlerësoi Trump-in dhe aleatët e tij për heqjen e sanksioneve, duke thënë se vendimi korrigjonte “një padrejtësi të rëndë” të shkaktuar ndaj Republikës Srpska “nga administratat Obama dhe Biden”. Ajo që Dodik nuk përmendi, megjithatë, është se ai u sanksionua gjithashtu nga administrata Trump në korrik 2017 për pengim të marrëveshjes së Dejtonit. Administrata Biden vendosi sanksione të reja ndaj tij në vitin 2022 dhe përsëri në fillim të vitit 2025.
Dodik filloi të kërkonte favorin e Trump-it para zgjedhjeve të vitit 2024, kur presidenti përballej me dhjetëra akuza penale. “Amerika ka nevojë për ju, por edhe pjesa tjetër e botës!”, i shkroi Dodik Trump-it në shtator të atij viti, pas atentatit të dytë ndaj tij.
Që nga rikthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, përpjekjet e Dodik-ut janë amplifikuar nga disa aleatë të presidentit. Rod Blagojevich, ish-guvernatori i Illinois-it që kaloi tetë vjet në burg për akuza korrupsioni para se të falej nga Trump në shkurt, ka publikuar prej muajsh postime në mbështetje të Dodik-ut.
Në një postim të mërkurën duke falënderuar Trump-in për heqjen e sanksioneve ndaj Dodik-ut, Blagojevich shkroi: “Ky material shpërndahet nga RRB Strategies LLC në emër të Republikës Srpska. Informacion shtesë është i disponueshëm në Departamentin e Drejtësisë, Washington, DC”.
Regjistrimet në Departamentin e Drejtësisë tregojnë se RRB Strategies, firma e Blagojevich, nënshkroi një kontratë me qeverinë e Republikës Srpska në mars, duke rënë dakord të “lobojë te përfaqësuesit shtetërorë për të parandaluar atë që perceptohet si një gjueti shtrigash kundër zyrtarëve të Republikës Srpska” dhe të “kërkojë heqjen e sanksioneve” ndaj tyre. Vlera e kontratës ishte redaktuar.
Marc Zell, një tjetër lobist, nënshkroi një kontratë me qeverinë e Republikës Srpska në dhjetor 2024 me vlerë 1 milion dollarë për një vit punë, plus një bonus nëse firma e Zell arrinte me sukses heqjen e sanksioneve ndaj Dodik-ut dhe aleatëve të tij, sipas dokumenteve të paraqitura gjithashtu në faqen e regjistrimeve të Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë. Në një e-mail, Zell i tha CNN se dispozita e bonusit u anulua në përputhje me ligjin amerikan.
Këtë muaj, figura të njohura të lëvizjes MAGA iu bashkuan korit të aleatëve të Trump që mbështesnin kauzën e Dodik-ut. Laura Loomer, influencuese e ekstremit të djathtë me lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin Trump, tha se shkarkimi i Dodik-ut nga posti i presidentit të Republikës Srpska ishte “shembulli më i fundit i sulmit të paskrupullt kundër liderëve të ngjashëm me Trump në mbarë botën”. Ajo pretendoi se Dodik ishte një lider “i krishterë” i cili po “përballet me sulme të pamëshirshme politike nga një koalicion i myslimanëve dhe globalistëve”.
Michael Flynn, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të Trump, bëri thirrje që Trump të “përqafojë” Dodik-un, dhe që SHBA të bashkohet me Republikën Srpska për të mposhtur globalistët “që kërkojnë shkatërrimin e ne të gjithëve”.
Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut dhe dikur avokati personal i Trump-it, vizitoi Republikës Srpska në shkurt dhe e ftoi Dodik-un në podcast-in e tij, ku shfaqi kapele “Make Srpska Great Again” përkrah kapelave të famshme MAGA.
Hoxhaj, eksperti i Ballkanit, tha se Dodik do ta përdorë heqjen e sanksioneve për t’u thënë njerëzve të tij dhe publikut se “ai është dëshmuar nga SHBA, dhe se ajo që iu bë atij ishte e padrejtë.”
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen nga New Hampshire, demokratja më e lartë në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, e dënoi heqjen e sanksioneve si “të pamatur dhe të parakohshme”.
“Dodik ka minuar Marrëveshjen e Dejtonit, është afruar me Putinin dhe është pasuruar nga korrupsioni, arsye të mjaftueshme për heqje sanksionesh”, tha ajo. “Populli amerikan meriton përgjigje”.


