“Mblidh pikë nga kafshimet e qenve endacakë”, komuna e Tetovës me rregullore për dëmshpërblimin e qytetarëve

TË FUNDIT

Komuna e Tetovës ka dalë me një rregullore për dëmshpërblim për qytetarët që kafshohen nga qentë endacakë. Në bazë të kësaj rregulloreje që është miratuar nga Këshilli komunal, qytetarët mund të dëmshpërblehen nga 30 mijë deri në 100 mijë denarë, por marrja e këtyre parave nuk do të jetë aq e thjeshtë sepse kafshimet do të llogariten në bazë të pikëve!

Po si fitohen pikët? Nëse ke më shumë kafshime merr 15 pikë, një kafshim 10 pikë dhe gërvishtje 5 pikë. Fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç mund marrin 15 pikë, nga mosha 15 deri në 18 vjeç 10 pikë dhe nga mosha 18 deri në 65 vje­ç 5 pikë. Shenjat të dukshme 25 pikë, mesatare 15 pikë e ulët 5 pikë. Gjendja e frikës apo trauma  nëse është e lartë fiton 15 pikë, mesatare 10 edhe e ulët 5 pikë. Vlerësimet i bën një komision pesë anëtarësh, dy nga komuna, një nga NPK Tetova, një mjek traumatolog dhe një psikiatër.

 “Që një qytetar të marr 100 mijë denarë nga Komuna e Tetovë do të duhet të ketë më shumë se 81 pikë dhe do të duhet të jetë i kafshuar më shumë se një herë me kafshime të rënda, duhet të jetë fëmijë ose mbi 65 vjeç, kafshimet duhet të jenë të dukshme, gjendja e tij psikike duhet të jetë intensive dhe të jetë i traumatizuar në shkallë të lartë”, raporton Senat Zylbehari, gazetar TV21.

Kryesuesi i Këshillit komunal Besar Durmishi thotë se kjo rregullore është bazuar nga qytete të tjera të Maqedonisë dhe se është e përkohshme deri sa komuna të gjejë një zgjidhje.

“Derisa udhëheqësia e kaluar i ka ndalë pagesat rreth rasteve të kafshimeve nga qentë endacak dhe derisa jemi në procedurë të zgjedhjes së problemit me qentë endacak, kemi bërë një rregullore e cila është identike që e kanë qytete të tjera, siç është qyteti i Shkupit dhe kjo nuk është ikje nga përgjegjësia por zgjidhje e përkohshme e problemit derisa të ketë një zgjidhje afatgjate apo të përhershme me problemin e qenve endacakë”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se gjatë vitit 2022 ka pasur 59 raste kur qytetarët janë kafshuar nga qentë endacak, ndërsa vetëm gjatë vitit 2023 vetëm 4 raste. Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se për vitin 2023 ka ndarë 3 milionë denarë për trajtimin e  qenve endacakë.