Mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë/ U nënshkruan 19 marrëveshje në sektorë të ndryshëm

TË FUNDIT

Me ceremoni shtetërore u prit delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë, në krye me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Pas pritjes ceremoniale, nisi mbledhja e tetë përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë e cila sivjet po mbahet në Prishtinë, nën sloganin “Të përbashkuar”.

Në hapjen e mbledhjes  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  foli për marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Tha se marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, lehtësojnë jetën e qytetarëve.

 “Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencial politik mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”. “Pritshmëritë tona janë reale, proceset integruese e përbashkuese të parashikuara në këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore. Ndërkohë na mbetët edhe përcaktimi i shpejtësive të zbatimit të tyre, ne besojmë që gjashtë muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme- deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive propozoi mbajtën e kuvendit të përbashkët mes dy vendeve. Nuk la pa folur edhe për marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Shprehjen e kënaqësisë për këtë moment dua ta bëjë duke falënderuar përzemërsisht Albinin dhe gjithë ju, po në veçanti Albinin dhe duke e thënë publikisht, edhe në sytë e gjithë atyre që na ndjekin për mirë apo për keq, se është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur unë e them që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak, kjo është e rëndësishme”. “Ne na lejohet të bëjmë edhe vërejtje këtu, se mbledhje pune është. Që kur Vetëvendosja ka marrë qeverinë, këto gërmat këtu janë zvogëluar, besoj për kursim letre, sepse është tanimë fakt i njohur që Vetëvendosje është forcë qeverisëse shumë e kujdesshme për shpenzimet buxhetore”- deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Dy kabinetet qeveritare bën të ditur se gjatë sezonit të verës, fundjavave dhe festave zyrtare do të ketë lehtësira në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Përgjatë periudhës së verës dhe përgjatë vikendeve kur ka fluks të lëvizjes nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht ndërmjet protokollit të parë që do të nënshkruajmë pikërisht do të përcaktojmë që prej 1 qershorit e deri më 30 shtator për çdo fundjavë dhe për çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”- pohoi Bledar Çuçi, ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

“Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer qoftë në luftimin e ilegaliteteve që cenojnë sigurinë e vendeve tonë, qoftë në ruajtjen sigurisë dhe jetën e qytetarëve. Sot do të nënshkruajmë zyrtarisht marrëveshjen e cila do të krijoj lehtësira të kalimit kufitar në pikën ku ka kalimin më të madh ku kalojnë qytetarët Vermicë-Merdare. Kjo marrëveshje do të zvogëloj procedurat e pritjeve dhe do të bashkërendoj punën e policisë tonë kufitare deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtësuar të kufirit- tha Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sqarime për  kalimin në kufi kërkoi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

 “Mund ta dimë nga ju se si do të kalohet kufiri në korrik edhe në gusht, çka janë disa lehtësira shkon njeriu për andej që shkon për plazh aty të mos ndaloj kjo është ideja, këto disa lehtësia çka do me thënë“- pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

“Herës së fundit kur isha në Shqipëri para ca ditësh polici kufitar në Vërmicë më uroi rrugë të mbarë“- tha Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

 “A mund t’ua kurseni edhe këtë urim qytetarëve dhe ata kur të kalojnë të mos ketë fare polici që ua urojnë dhe të ketë thjesht ndalime të rastësishme për 500 makina po themi mund të ndodh kjo është e pamundur“- tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi doganor. 

 “Ne do të ngremë dy grupe teknike të cilat dot ë punojnë intesivisht dhe unë uroj që grupet do të arrijnë që përpara mbledhjes së ardhshme të dy qeverive të na japim një dokument i cili realisht do ta bëjë të mundur bashkimin doganor. Nga ana tjetër qeveria shqiptare ka marr angazhimin që të zeroj tarifat që lidhen me procedurat doganore me qëllim që të gjitha barrierat tarifore në doganë dhe administrative të lehtësohen maksimalisht siç është premtimi i dy qeverive tona dhe uroj që të jenë e njëjta gjë edhe për qeverinë tuaj. Shpreh keqardhjen që sot nuk arritëm që të nënshkruajmë marrëveshjen për njohjen reciproke të operatorëve ekonomik të autorizuar pasi u njoftova nga ministri se janë disa teknikalitete të cilat nuk e lejojnë këtë“- pohoi Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.

“Si rrjedhojë e bashkimit doganor dalin disa përfitime siç janë shfrytëzimi i kohës në mënyrë me efektive për shkak të lehtësimit të procedurave dhe zvogëlimit të procedurave të pritjes për maunat. Pra palët do të punojnë së bashku në hartimin e një studimi të cilin do e prezantojnë në nëntor të këtij viti pra në mbledhjen e ardhshme dhe ky studim pritet të jetë me interes për të dyja palët…të premten e javës së kaluar të dy drejtorët e Doganave kanë nënshkruan një urdhër për miratimin të protokolleve për njohjen e plumçeve dhe veprimeve të përbashkëta për to”- tha Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dh Transfereve.

Sipas një marrëveshje për pranimin e studentëve,  maturantët nga Kosova e Shqipëria,  nga viti i ardhshëm akademik, mund të konkurrojnë për regjistrim në të dyja vendet me të njëjtat kushte, kritere dhe procedura.

“Me ketë marrëveshje, maturantë nga Kosova dhe nga Shqipëria do të kenë qasje të barabartë në 19 universitete publike nga Gjirokastra deri në Mitrovicë. Duke shtuar kështu mundësinë për përzgjedhjen e institucionit të arsimit të lartë dhe programit të studimeve. Më gëzon fakti, se marrëveshja po nënshkruhet në prag të afateve për regjistrim në institucionet e arsimit të lartë të të dy vendeve. Prandaj, edhe mund të zbatohet nga ky vit”- pohoi Dukagjin Popovci, zëvendësministër i arsimit të Kosovës.

“Ne sot japim mundësi të barabarta dhe kushte të barabarta, të gjithë të rinjve shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria për të konkurruar njësoj në të gjitha universitetet në vendet tona. Ne sigurisht do të lehtësojmë procedurat e njohjes së diplomave të shkollës së mesme, do të kryhet vetëm brenda tri ditësh dhe më pas do të unifikojmë të gjitha procedurat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studentëve ne universitete- tha Evis Kushi, ministre e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.

Në mbledhjen e përbashkët mes dy shteteve u nënshkruan 19 marrëveshje në sektor të ndryshëm. Në sektorin e transportit u arrit marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë.