Mbi 3 milionë të papunë në Gjermani! Miliona banorë shfrytëzojnë asistencë sociale nga shteti

TË FUNDIT

Numri i personave të papunë në Gjermani ka kaluar shifrën prej 3 milionësh në muajin janar, treguan të premten të dhënat zyrtare, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 6.6%, përcjell TV21.

Agjencia Federale e Punësimit regjistroi 3.085 milionë të papunë, që është 177 mijë më shumë se muajin e kaluar dhe 92 mijë më shumë krahasuar me janarin e vitit 2025.

Kjo shifër është më e larta e regjistruar në muajin janar që nga viti 2014, ndërsa hera e fundit kur numri i të papunëve kaloi 3 milionë ishte në muajin gusht, për herë të parë pas më shumë se 10 vitesh.

Krahasuar me dhjetorin, shkalla e papunësisë u rrit me 0.4 pikë përqindjeje, duke arritur në 6.6%.

“Aktualisht ka pak dinamizëm në tregun e punës. Në fillim të vitit, papunësia u rrit ndjeshëm për arsye sezonale, duke kaluar sërish pragun prej 3 milionësh”, tha Andrea Nahles, kryetare e Agjencisë me seli në Nuremberg.

Numri i vendeve të lira të punës të regjistruara pranë agjencive të punësimit ra në 598 mijë, ose 34 mijë më pak krahasuar me një vit më parë.

Në janar, 1.142 milionë persona në Gjermani përfituan ndihmë papunësie, e cila paguhet deri në dy vjet pas humbjes së vendit të punës. Ndërkohë, 3.826 milionë persona përfituan ndihmën qytetare, një formë e asistencës sociale, ku përfshihen edhe disa persona të punësuar që plotësojnë të ardhurat e tyre me ndihmë sociale për të mbijetuar.

Në muajin janar, 64 mijë të rinj u regjistruan pranë agjencive të punësimit si kërkues për praktikë profesionale.