Ministri i Jashtëm kinez tha këtë të premte se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave të Kinës dhe paralajmëroi për pasoja të rrezikshme për këdo që prek interesat e popullit kinez.
Kina njoftoi se kritikat ndaj saj për çështjen e Tajvanit, do të rezultojnë me pasoja të rrezikshme.
Ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, ka paralajmëruar të premten se Pekini është “forcë në rritje për paqe dhe drejtësi”.
Dy javë më parë, Kina nisi një stërvitje treditore ushtarake rreth Tajvanit duke simuluar sulme të shënjestruara dhe bllokadë të ishullit si përgjigje ndaj një takimi që ka zhvilluar presidentja tajvaneze, Tsai Ing-ëen, me udhëheqësin e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Kevin McCarthy.
“Së fundi, ka pasur retorikë absurde, me akuza ndaj Kinës për ndryshim të njëanshëm të status quo-së rreth Ngushticës së Tajvanit, përmes forcës së mashtrimit dhe prishjes së paqes dhe stabilitetit në atë rajon”, ka thënë Qin në një forum për modernizim të Kinës.
“Pretendime të tilla janë kundër botëkuptimit bazik për marrëdhënie ndërkombëtare dhe drejtësi historike, kjo logjikë është absurde dhe pasojat janë të rrezikshme”- i tha ai një audience në Shangai.
Kina e konsideron Tajvanin si territorin e saj dhe është zotuar se do ta kontrollojë këtë ishull një ditë, qoftë edhe përmes forcës.
“Çështja e Tajvanit është në thelb të interesave të Kinës”, ka vazhduar ai. “Ne nuk do të zmbrapsemi kurrë ndaj çfarëdo akti që minon sovranitetin dhe sigurinë e Kinës. Ata që luajnë me zjarrin për Tajvanin, në fund do të digjen vetë” përfundoi Qin.
