Mbështetësit e presidentit amerikan Donald Tramp, disa të armatosur, mblidhen para qendrave të numërimit

TË FUNDIT

Mbështetësit e presidentit amerikan Donald Tramp, disa të armatosur, po tubohen para qendrave të numërimit të votave për zgjedhjet presidenciale.

Në disa vende, ku udhëheq kandidati republikan, protestuesit po kërkojnë t’i jepet fund numërimit, ndërsa në tjerat, ku ngec, të vazhdojnë.

Në qarkun Marikopa, Arizonë, persona të armatosur kanë hyrë në një qendër votimi, ndërsa protestuesit u tubuan jashtë. Media lokale transmetuan se disa nga protestuesit ishin të armatosur.

Shumë mbajnë kapele me logon “Bëje Amerikën përsëri të madhe” dhe parrulla me akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor.

Numërimi vazhdon në zonën kryesore. Xho Bajden ka pak epërsi në Arizonë.

AP dhe media të tjera amerikane, përfshirë Foks Njuz, e kanë shpallur Bajdenin fitues, por Tramp është pak më afër ish-nënpresidentit të SHBA-së.

Mbështetësit e Tramp u tubuan gjithashtu para qendrës së numërimit në Miçigen. Ata po bëjnë presion për t’i dhënë fund numërimit, ndërsa në Feniks, Arizonë, protestuesit po kërkojnë që numërimi të vazhdojë që të rrisë gjasat e kandidatit republikan.

Mbështetësit e Trampit dhe të djathtës ekstreme “Stop vjedhjes” u përleshën me protestuesit e “Numëro votat” jashtë qarkut Klark, Las Vegas.

Situata është e ngjashme me atë në vitin 2000, kur u mbajtën demonstrata në Floridë për të ndaluar numërimin e fletëvotimeve në zgjedhjet presidenciale midis Al Gor dhe Xhorxh Bush.

Protesta paqësore u organizuan në qytete tjera në të gjithë vendin, duke kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat.

Policia rrethoi protestuesit që morën pjesë në marshimin në Mineapolis. Autoritetet arrestuan gjithashtu protestues në Portland, Oregon.

Nju-Jork Tajms njofton se Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së u ka thënë prokurorëve federalë se ligji lejon qeverinë të dërgojë policë të armatosur në qendrat e numërimit. /MIA