Situata politike dhe e sigurisë në vend pas anëtarësimit në NATO do të jetë tema e diskutimit në seancën e sotme të tetë të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do të mbahet në Vilën Vodno, duke filluar nga ora 12:00.
Në seancë, përveç anëtarëve të përhershëm të Këshillit, me ftesë të presidentit Pendarovski do të jenë të pranishëm edhe drejtorët e Agjencisë së Inteligjencës, Erolld Musliu, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, Agjencisë operativo-teknike AOT, Zoran Angellovski, si dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral koloneli Vasko Gjurqinovski.
Siç komunikuan nga Kabineti i presidentit, pas përfundimit të seancës, presidenti Stevo Pendarovski do të japë deklaratë për opinionin./MIA
