“Nuk rekomandohet të mbahet maskë në të hapur”. Kjo është pjesë e videos së publikuar më 4 prill ku Ministria e shëndetësisë promovoi video ku thuhet se mbajtja e maskave në të hapur është e panevojshme. Edhe ministri Filipçe përsëriste se nuk ka nevojë që të mbahen maska në të hapur nëse mund të mbahet distancë.
“Kjo ka të bëjë me hapësira të mbyllura, ndërsa në të hapur vetëm kur nuk mund të mbahet distancë prej 2 metrave”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Mbajtja e maskave në të hapur, katër mysafirë në shtëpi, janë masat e propozuara të cilat përmes ndryshimeve ligjore në Kuvend duhet të hyjnë në fuqi nëse rritet numri i të infektuarve.
“Që të mund të zbatohen këto masa dhe institucionet të munden ta kontrollojnë këtë gjë, dhe nëse nuk zbatohet, të sanksionohet, duhet të ketë ndryshime ligjore. Mënyra më e shpejtë është që të intervenohet përmes amendamenteve në ligjin për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje ngjitëse, që tashmë është në procedurë në Kuvend për shkak të një ndryshimi tjetër që e kemi futur brenda këtij ligji”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Drejtori i ISHP-së, Shaban Memeti tha se mbajtja e maskës në të hapur duhet të jetë e detyrueshme për shkak se qytetarët nuk e respektojnë masën për distancë në të hapur.
“Përdorimi i maskës në ambiente të hapura ka edhe specifikën e vet, nëse një njeri është i vetëm normalisht që nuk rrezikohet nga dikush tjetër për transmision apo transpetim të virusit”, deklaroi Shaban Memeti – Drejtor i ISHP.
Qytetarët me mendime të ndara.
“Mendoj se duhet, të mbrohemi vetë dhe familjen tonë”.
“Gjatë lëvizjes së lirë, por të mbahet distancë, mendoj se nuk është faktor cenues”.
“Nuk dalim pa maska. –Edhe kur jeni në të hapur? Gjithkund, edhe kur hedh mbeturina vendos maskë”.
Dekreti për mbajtje të detyrueshme të maskave ose shalleve jashtë shtëpisë është publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 107 më 22 prill të vitit 2020. Dekreti do të plotësohet duke i shtuar masat për vetëm 4 mysafirë, mbajtje të maskave në të hapur dhe për ndalimin e tubimeve pas orës 22.
