Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka publikuar rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2025–2026, përcjell TV21. MASH informon se të gjithë aplikuesit do ta marrin vendimin përmes portalit elektronik e-uslugi.mon.gov.mk, në seksionin “Aplikimet e mia”, në kolonën “Dokumenti i vendimit”, dhe se aplikuesit e pakënaqur nuk duhet të paraqesin ankesa ose kundërshtime para se të marrin vendimin.
“Pas marrjes së vendimit, ankesat paraqiten në Komisionin Shtetëror për Vendosje në Procedurë Administrative, Procedurë nga Marrëdhënia e Punës dhe Mbikëqyrje Inspektuese në shkallën e dytë, brenda 15 ditëve nga pranimi i vendimit. Hapësirat e Komisionit Shtetëror gjenden në bulevardin “Goce Dellçev” nr. 18 (objekti i RTVM-së, kati i 11). Fituesit e bursave nuk është e nevojshme të dorëzojnë kontrata të shtypura dhe të nënshkruara. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me përdorimin e bursës janë të përcaktuara në vendim”, njofton MASH në publikimin ku janë përfshirë emrat e nxënësve fitues të njërës nga shtatë kategoritë e bursave të dedikuara për gjimnazistë.
