Masat në fuqi deri sa të arrihet imuniteti kolektiv, Zaev: Nuk ka alternativë tjetër pos vaksinimit

TË FUNDIT

Shkupi, Tetova dhe Gostivari janë vatrat kryesore të kovid-19 në vend. Qytetet që kanë përqindje më të ulët të vaksinimit kanë më shumë pacientë të shtruar në spitale dhe persona të vdekur si pasojë e virusit korona në krahasim me komunat ku ka shkallë të lartë të vaksinimit, thotë Filipçe. Për tu arritur imunitet kolektiv ndaj variantit Delta, duhet të vaksinohen mbi 80% e popullsisë. Deri kah mesi i tetorit Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pret që diku një milion banorë të jenë imunizuar me ndonjë nga vaksinat anti-covid, apo rreth 70%, që sipas tij është një përqindje shumë serioze. Në pyetjen se deri kur do të zgjasin masat për hotelierët, dhe a ka gjasa të shfuqizohen nëse bie numri i të infektuarve, Filipçe tha se gjithçka varet vetëm nga përqindja e të vaksinuarve.

“Gjithçka dëshmon në atë se imuniteti kolektiv është ai që do ta ndryshojë pasqyrën e pandemisë, edhe te ne edhe në gjitha shtetet e botës, prandaj kemi vendos theksin në vaksinim. Gjithçka tjetër vlerësojmë se nuk është zgjidhje afatgjate, absolutisht jemi të vetëdijshëm se ka alternativa tjera që po i aplikojnë vendet tjera, por ato nuk janë zgjidhje afatgjate dhe nuk janë në drejtim të mbrojtjes së sistemit shëndetësor”, tha Filipçe.

Masat që i ndërmori Qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe imunizimin e popullatës po japin efekt, tha kryeministri Zoran Zaev, i cili njëkohësisht lansoi fushatën “Vaksinoni” për të inkurajuar qytetarët që në mënyrë masive të vaksinohen dhe të parandalohen lajmet e rreme kundër vaksinave.

“Vetëm me vaksinim të plotë ndalohet forma e rëndë e sëmundjes dhe zvogëlohet shansi për infeksion dhe vdekje nga virusi. Kjo është rruga që do të na çojë deri te një përfshirje më e madhe e qytetarëve të mbrojtur, e me këtë edhe në zvogëlimin e shkallës së përhapjes së virusit. për ta nxitur këtë trend dhe për t’i inkurajuar qytetarët që në mënyrë masive të vazhdojnë të vaksinohen, po e lansojmë këtë fushatë që t’i shohim përsëri fytyrat e buzëqeshura, pa maska dhe përqafimet e ngrohta që na mungojnë të gjithëve”, deklaroi Zaev.

Nesër takohen Komisioni për sëmundje infektive me Komisionin për imunizim për të analizuar masat aktuale, për ndryshime eventuale.