1000 deri në 1500 denarë do të shqiptohet gjobë për ata qytetarë të cilët nuk do t’i respektojnë masat e reja të Qeverisë për grupim të më shumë se dy personave dhe mosmbajtjes së distancës. Kjo masa është marrë për tre qytetet si Kumanova, Tetova dhe Prilepi ku numri i të infektuarve po shtohet. Banorët e këtyre qyteteve poashtu obligohen të mbajnë maska dhe doreza në vende publike.
Xhenis Sulimani nga Kumanova thotë se masat e Qeverisë vinë si rezultat i mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të deritanishme.
“Sa i përket gjendjes aktuale së pandemisë në Kumanovë, unë konsideroj se çdo masë e re që vjen në këtë kohë pandemie është si rezultat i masave të pasuksesshme paraprake, por edhe për shkak të disiplinës dhe vetëdijes së ulët qytetare e cila nuk iu është bind rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për shëndetin e qytetarëve”, deklaroi Xhenis Sulimani.
Nga ana tjetër u vendos që të ndërpritet transporti publik dhe privat, më saktë të gjitha hyrjet dhe daljet në Tetovë nga komunat e Pollogut dhe të Shkupit.
Aktivisti Arianit Xhfaferi tha se kjo masë do të jetë shumë e vështire për tu respektuar, pasi siç u shpreh, për shumë arsye të ndryshme qytetarët nga komunat tjera do të duhet të vijnë patjetër në Tetovë.
“Hyrja e banorëve të komunave tjera në Tetovë siç është paraparë me masën e re për ndalimin e hyrjes, mendoj se është shumë problematike për banorët e komunave për rreth të cilët për shumë arsye duhet të vinë në Tetovë. Qoftë për të paguar faturat, qoftë për të marrë para nga banka dhe bankomatet. Për shumë arsye të ndryshme qytetarët nga komunat tjera do të duhet të vijnë patjetër në Tetovë. Mendoj se kjo do të jetë pak e vështirë për ata. Kam frikë se kjo nuk do të respektohet plotësisht”, deklaroi Arianit Xhaferi.
Përveç këtyre masave, Qeveria në mbledhjen e zhvilluar mbrëmë online, miratuan dekretin, që bankat t’i respektojnë të njëjtat rregulla para dhe brenda hapësirave të tyre njësoj si në markete, ndërsa
punëtorët në shitore, barnatore dhe markete detyrohen të mbajnë pajisje mbrojtëse, si dezinfektues, dorëza dhe maska.
