Me protesta nga Ministria për punë të brendshme deri te Prokuroria publike, luftëtarët për drejtësi dhe viktimat morën pjesë në marshin protestues për “Dhomën publike”.
“Sa nga ju keni përjetuar dhunë apo shqetësime seksual në jetë? Të gjithë. Sa nga ju kanë denoncuar në polici? Askush. Askush apo…”, tha një protestuese.
Dërguan disa kërkesa.
“Kërkojmë jo vetëm të mbyllet një Dhomë publike, kërkojmë ndëshkim për të gjithë administratorët e gjithë grupeve të tilla dhe ndëshkime adekuate për të gjithë ata që në ato grupe kanë shpërndarë më shumë informacione nga tipi i fotografive, por edhe të dhëna personale të vajzave dhe grave”, deklaroi organizaorja e protestës.
Mes kërkesave të tyre është edhe ndryshimi i Kodit penal, me çka shqetësimi përmes internetit do të jetë vepër e dënueshme me ligj.
Në protestë mori pjesë edhe Ana, një nga viktimat e të ashtuquajturës “Dhoma publike”.
“Le të jetë ky fillim i ndryshimeve të mëdha të cilat ndodhin në këtë shoqëri, le të sillet ligj, pro edhe ai Ligj të zbatohet, të edukohen institucionet, të edukohet çdo njeri se si duhet të sillet që të mund të kemi shoqëri më të bukur dhe më të lumtur edhe për ne edhe për gjeneratat që vijnë”, deklaroi Ana.
Grupi “Dhoma publike” i cili për momentin është i mbyllur me intervenim të MPB u paraqit vitin e kaluar. Në të janë shpërndarë fotografi private dhe të dhëna personale kryesisht të vajzave të mitura nga Maqedonia. Atëherë kishte reagim nga institucionet kompetente por rasti mbeti në procedurë para-hetimore gjithë vitin.
Grupi përsëri u aktualizua para dhjetëra ditëve me keqpërdorime të reja, me çka policia intervenoi dhe arrestoi 4 persona, ndërsa grupi u mbyll. Në opinion u paraqitën disa vajza – viktima të anëtarëve të grupit.
Nga MPB thonë se hetimi nuk ka përfunduar dhe se po punohet për zbardhje të plotë të rastit, ndërsa ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq paralajmëroi se po përgatiten ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me veprime të tilla.
