Marrëveshja në rrezik, Vanhaute: Kjo është lodhëse për të gjithë ne!

TË FUNDIT

Pas dështimit të takimit të djeshëm të katër liderëve të partive politike me Komisarin Han, sot në Klubin e Deputetëve vazhdojnë negociatat në grupet punuese për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Të gjithë anëtarët e grupeve punuese ishin prezent , por i vetmi që u ndal për të biseduar me gazetarët ishte ndërmjetësuesi Piter Vanhaute.

Ai tha se marrëveshja për kodin zgjedhor është arritur, dhe pret që sa më shpejt të jetë në procedurë parlamentare. Në lidhje me ligjin për materialet e përgjimeve , Vanhaute tha se ligji duhet të jetë  në nivelin e legjislacionit evropian.

“Kemi marrëveshje rreth kodit zgjedhor, dhe do të sigurohemi që sa më shpejtë ai të jetë në procedurë parlamentare. nuk e di saktë se kur, do të duhet të diskutohet me partitë. Por edhe tjerat çështje duhet të mbyllen. Nëse keni aspirata që të bëheni një ditë anëtare e Unionit Evropian , duhet që edhe legjislacioni të jetë në nivelin e Unionit. Shpresoj që sot të përfundojmë më herët, se kjo është lodhëse për të gjithë ne. Dhe, shpresoj që të përfundojmë më herët që të shkojmë të gjithë në shtëpi dhe të kthehemi të freskët në mëngjes me ide të freskëta. Sa u përket afateve, do të shohim se si do t’i menaxhojmë ato në orët e ardhshme”, deklaroi Vanhaute per mediat.

Furkan Saliu