Marrëveshja me Britaninë para deputetëve! Aziri: Të rëndësishme janë kushtet dhe efektet që do të rrjedhin nga ajo

TË FUNDIT

Marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, me vlerë prej 6 miliardë eurosh, është në procedurë parlamentare dhe ndodhet para deputetëve për ratifikim, raporton TV21.

Marrëveshja tashmë ka kaluar shqyrtimin në komisione, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se përmes saj do të realizohen një numër i madh projektesh infrastrukturore. Ndërkohë, Elmi Aziri nga Fronti Europian deklaroi se ata nuk janë kundër huamarrjes, por theksoi se janë të rëndësishme kushtet në të cilat realizohet kjo marrëveshje.

“Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Maqedonisë një pozicionim strategjik në rajon, zhvillim të infrastrukturës, shëndetësisë, energjetikës, shkencës dhe forcim të institucioneve. Maqedonia do të mund të ndërtojë hekurudhën përgjatë Korridorit 10 me dy linja: njëra do të jetë linjë e shpejtë për trena që lëvizin me mbi 160 km/h, dhe tjetra linjë për transport mallrash”, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE-ja.

“Ne nuk jemi kundër huamarrjes, pra kundër borxhit si instrument ekonomik dhe financiar për nxitjen e zhvillimit të shtetit. Për ne më të rëndësishme janë kushtet me të cilat marrim borxhin, dhe edhe më e rëndësishme është se ku do të drejtohen ato mjete – në mënyrë që, nëse është e mundur, t’i shohim paraprakisht dhe t’i matim efektet e pritshme përmes instrumenteve ekonomike.”, tha Elmi Aziri nga Fronti Europian.