-Është vërejtur në disa markete rritje e marzhës bruto, krahasuar me vitin e kaluar, prej 2 deri në 5 për qind, dhe ato do të ftohen në një takim ku do t’u bëhet e qartë se kjo është e papranueshme, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, i cili iu përgjigj pyetjes së gazetarëve deri ku janë negociatat me marketet dhe nëse do të ketë ulje të çmimeve të produkteve ushqimore.
“Po, do të jem konkret me një shembull – nëse vitin e kaluar në muajin qershor marzha bruto ka qenë 10 për qind, tani është 12 ose 15 për qind. Këto janë ato 2 deri në 5 për qind shtesë dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë dhe do të dërgojmë një mesazh shumë të qartë për to. Nëse këto 2 deri në 5 për qind do të uleshin, atëherë praktikisht ne do të ishim vendi me inflacionin më të ulët në Evropë, në këtë moment, megjithëse pres stabilizim të inflacionit në muajin qershor, një vlerë shumë më e ulët krahasuar me majin dhe prillin”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se brenda një jave duhet të publikohen këto parametra, bazuar në shifrat që i marrin nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
“Po ashtu, po e definojmë atë grup prej 600–700 produkteve, ku po bëjmë analizë; aty do të na duhet pak më shumë kohë, sepse bëhet fjalë për faktorë hyrës-dalës, marzhë që e kanë distributorët dhe prodhuesit, krahasuar me marzhën bruto që e kanë zinxhirët e marketeve. Analiza është pak më e ndërlikuar, personalisht po e punoj, prandaj mund të na duhet pak më shumë kohë”, theksoi kryeministri Mickoski.
