Mariah Carey ka fituar rreth 60 milionë dollarë $ nga kënga “All I Want for Christmas Is You”

TË FUNDIT

Mariah Carey njihet botërisht si “Mbretëresha e Krishtlindjeve”, falë hitit të saj ikonik “All I Want for Christmas Is You”, publikuar në vitin 1994. Që nga dalja, kënga i ka sjellë këngëtares rreth 60 milionë dollarë në të drejta autoriale, sipas Forbes, duke mbetur një nga projektet më fitimprurëse në historinë e muzikës pop. Aktualisht, Carey fiton rreth 2.5 deri në 3 milionë dollarë në vit vetëm nga kjo këngë.

Së fundmi, më 13 dhjetor, “All I Want for Christmas Is You” u bë kënga e parë e Krishtlindjeve që kalon 2 miliardë dëgjime në Spotify, duke vendosur një rekord historik. “Kjo është e pabesueshme,” u shpreh Carey për PEOPLE, duke falënderuar dëgjuesit në mbarë botën që e kanë kthyer këngën në një traditë të përvitshme festive. Kënga është pjesë e albumit të saj të katërt, “Merry Christmas”, dhe që në fillim kryesoi top-listat në 26 vende.

Gati 30 vjet pas publikimit, hiti vazhdon të rikthehet çdo sezon festash në krye të Billboard Hot 100 dhe listave më të dëgjuara në Spotify. Në vitin 2021, kënga fitoi Çmimin Diamond të RIAA për mbi 10 milionë shitje dhe transmetime, ndërsa në vitin 2023 u përfshi në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimeve të Bibliotekës së Kongresit të SHBA-së. Sot, “All I Want for Christmas Is You” mbetet jo vetëm simbol i Krishtlindjeve, por edhe një nga këngët më të suksesshme të të gjitha kohërave.