Maqedonia shënon 34 vjet pavarësi, Mickoski: Të kota janë të gjitha përpjekjet nëse të rinjtë na ikin

TË FUNDIT

“8 shtatori nuk është vetëm një datë simbolike, por një moment historik për popullin tonë, për qytetarët, koha kur u ngrit flamuri i pavarësisë”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në akademinë solemne kushtuar Ditës së Pavarësisë, më 8 shtator, me moton “Nga ëndrra, në realitet, për përjetësi”. Në fjalën e tij ai dërgoi edhe mesazhe politike: e përmendi temën aktuale të përgjimeve, për të cilën tha se duhet të ketë përgjegjësi, si dhe rezolutën e paralajmëruar nga Venko Filipçe, për të cilën theksoi se pret me padurim t’i shohë vijat e kuqe. Megjithatë, në qendër të fjalimit të tij ishte nataliteti – duke theksuar se të gjitha përpjekjet e shtetit për standard më të mirë jetese janë të kota nëse vazhdon emigrimi.

“Të kota janë të gjitha luftërat dhe kujdesi ynë, nëse për 70 deri 100 vjet populli ynë përgjysmohet, fushat mbeten bosh dhe bankat pa nxënës. Prioriteti ynë janë integrimet evropiane, kanë qenë, janë dhe do të mbeten prioriteti kryesor. Por ai rrugëtim nuk duhet më të jetë i turpshëm, duhet të jetë dinjitoz, një rrugë në të cilën do të jemi të barabartë me të gjitha popujt e tjerë evropianë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Në urimin e saj, presidentja Gordana Siljanovska Davkova theksoi se edhe pas 34 vjetësh, Maqedonia ende po lufton për një shtet sovran dhe të barabartë, anëtar të Bashkimit Evropian.

“Rruga drejt të drejtës dhe drejtësisë kalon përmes një shteti të evropianizuar, të ndërtuar mbi kriteret e Kopenhagës, përmes një pushteti demokratik, të kufizuar me sistem të balancuar kontrollesh dhe mekanizmash. Të rinjtë nuk mbahen dhe nuk stimulohen me partizim dhe politizim, por me arsim dhe shkencë që nxisin, respektojnë dhe shpërblejnë dijen, punën dhe meritat”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova – presidente e Maqedonisë së Veriut.

Me rastin e 8 shtatorit, urim dërgoi edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili bëri thirrje për bashkim rreth vlerave, unitet dhe përkushtim në realizimin e aspiratave të vendit.

“Vetëm me unitet dhe përkushtim të përbashkët mund ta realizojmë vizionin për një të ardhme më të ndritur për shtetin tonë dhe për brezat e ardhshëm. Maqedonia e Veriut, 34 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është një shtet që ka përparuar në shumë aspekte dhe ka fituar respekt në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Më 8 shtator 1991, në referendum, qytetarët u përcaktuan për një shtet të pavarur dhe sovran. “T’ju uroj një Maqedoni të lirë, sovrane dhe të pavarur”, ishte urimi i presidentit të parë të shtetit, Kiro Gligorov, nga sheshi i qytetit menjëherë pas shpalljes së rezultateve.