Maqedonia pret për valë të re emigrantësh

TË FUNDIT

Qyeteti më jugor i Maqedonisë, Gjevgjelia, po bëhet gati për një valë të re emigrantësh, pas paralajmërimeve se gjatë ditëve të ardhshme nga Greqia pritet të mbërrijnë mbi 3 mijë persona, lajmëroi Alsat-M.

Ditëve të fundit në Gjevgjeli nuk ka pasur fluks të madh të refugjatëve, pasi që shumica e tyre me të mbërritur janë transportuar për në Tabanoc, në kufi me Serbinë.

Vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, sipas aktivistëve humanitarë, në Tabanoc kanë kaluar mbi 1500 emigrantë. Ndërkohë edhe përkundër uljes së valës së emigrantëve gjendja e krizës vazhdon ende të jetë në fuqi, ndërsa për dallim nga fundjava në pikat “problematike” kufitare vërehet një numër më i vogël i forcave policore dhe ushtarake.

“Njerëzit vijnë e shkojnë vazhdimisht. Vijnë me trena, autobusë, minibusë, taksi, kush se si di dhe mundet. Ushqim dhe pije ka për të gjithë. Mjekët kujdesen për të sëmurit, pasi ka shumë fëmijë të sëmurë por falë Zotit deri më tani po menaxhojmë mirë situatën. Ka edhe raste që kthehen nga Serbia, rrinë këtu rreth 1 orë e më pas përsëri shko jnë. Nuk e dimë se për çfarë shkaku i kthejnë”, ka thënë Valentina Georgievska, Aktiviste humanitare

Ndërsa Maqedonia po përgatitet për valën e re, një pjesë e emigrantëve që u bllokuan ditë më parë nga policia e Maqedonisë tashmë kanë mbërritur në Hungari. Mediat hungareze kanë njoftuar se mbi 1000 emigrantë kanë arritur t’i shpëtojnë murit të këtij shteti vetëm 6 ditë para përfundimit të punimeve.

Për vetëm dy muaj, 45 538 mijë emigrantë janë regjistruar si transit në Maqedoni. Sipas vlerësimeve të UNHCR-së deri në fund të vitit numri i refugjatëve që kanë braktisur Sirinë dhe janë nisur drejt Evropës do të arrijë në mbi 4 milion. Nga kjo organizatë thonë se muajve të ardhshëm në Maqedoni do të tranzitojnë mbi 3 mijë emigrantë. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë dalë me njoftimin se deri në fund të këtij viti do të pranojnë rreth 2 mijë ndërsa deri në fund të vitit 2016 do të pranojnë 8 mijë refugjatë.