Maqedonia planifikon të blejë gaz nga Serbia/ Mickoski me plan për dalje nga kriza energjetike

TË FUNDIT

Zgjidhje do të ketë para fillimit të sezonit të ngrohjes, ndërsa për prodhimin e energjisë elektrike kah fundi janë negociatat me Serbinë për blerjen e gazit, edhe pse ende nuk ka informacione as për sasitë e as për çmimin e blerjes. Viktor Andonov, këshilltar i kryeministrit Kovaçevski për energjetikë, tha se para 10 ditëve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë biseduar që Serbia t’i dërgojë gaz Maqedonisë, ndërsa kjo e fundit, pjesë e sasive të prodhuara të energjisë elektrike  t’ia dërgojë Beogradit. Andonov rikujtoi se po zhvillohen negociata edhe për sasi shtesë të energjisë elektrike me vende të tjera.

“Ne do ta paguajmë sasinë e gazit, ata do ta paguajnë sasinë e energjisë elektrike. Sasia e energjisë elektrike që do të mbetet te ne, do t’u shitet industrive me çmime të pranueshme për ta dhe varësisht nga çmimi i gazit. Edhe energjia ngrohëse do t’u shitet qytetarëve për ngrohje. Në Turqi u zhvilluan bisedime për sasi shtesë të energjisë elektrike dhe për sasi shtesë të gazit natyror. Në Greqi u bisedua për sigurimin e vazhdueshëm me lignit dhe mazut, ndërsa në Bullgari për çmim më të ulët se çmimi i energjisë elektrike në bursat.”- deklaroi Viktor Andonov, Këshilltar për Energjetikë.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se në takimin me udhëheqësinë e Lidhjes së Odave Ekonomike ka prezantuar planin për ballafaqim me krizën energjetike.

“Propozimi parashikon vendosje në funksion të të gjitha kapaciteteve të brendshme për prodhim, e njëkohësisht i vendosim në dispozicion edhe të gjitha kontaktet që i kemi jashtë vendit, në Europë dhe më gjerë për të siguruar resurse të mjaftueshme me qëllim që kapacitetet e prodhimtarisë të sigurojnë energji elektrike që do të jetë për komunitetin e biznesit. Edhe propozimi i dytë që unë dua ta bëjmë me dije, është propozim ligji me të cilin do të kërkojmë ndryshim të Ligjit për energjetikë, që do ta dorëzojmë deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme në procedurë kuvendore”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Njeriu i parë i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angellovski tha se çdo propozim që do të kontribuojë për dalje nga kriza është i pranueshëm.

“Çdo ofertë, çdo mundësi që të marrim çmim më të lirë prej çmimit që është në bursat, për ne është përparësi tepër e madhe dhe ne duam që çdo pjesë e këtyre masave të jetë konstruktiv, pozitiv dhe në drejtimin e duhur  të zbatohet. Mendoj se ky është problem nacional, problem shtetëror, kështu që propozimet nuk duhet t’i ndajmë nëse i përkasin pushtetit apo opozitës, duhet të mundohemi që të dalim prej kësaj krize dhe të kalojmë me sa më pak pasoja.”- tha Trajan Angellovski, Kryetar I LOEM-së

Nga Qeveria thonë se ende nuk e kanë parë propozimin e Mickoskit, por se çdo mbështetje nga opozita, si dhe nga partitë politike në drejtim të ballafaqimit me krizën energjetike, është e mirëseardhur. Megjithatë, rikujtojnë se edhe Qeveria ka plan për krizën, i cili është prezantuar në seancën e Këshillit për Siguri te Presidenti Pendarovski.