Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se ka hequr dorë nga plani diskutabil për të shitur aksione të garave kryesore, pas kundërshtimeve të shumta.
Infantino tha se ishte bërë e qartë se projekti kishte “krijuar përçarje” që nuk janë më në interes të objektivit të tij fillestar.
“Si rezultat, ky propozim nuk do të vazhdojë”, tha Infantino.
Zvicerani u kishte premtuar të gjitha 211 federatave nacionale të futbollit nga 40 milionë dollarë, nëse ato do të mbështesnin një propozim për investime private në turnetë e FIFA-s, duke përfshirë Kupën e Botës.
Shaikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, president i Konfederatës Aziatike të Futbollit, përshëndeti tërheqjen nga plani.
“E ardhmja e futbollit global duhet të formësohet përgjithmonë përmes konsultimit të duhur, dialogut kolektiv dhe respektit për strukturat e vendosura të qeverisjes së lojës sonë”, tha Shaikh Salman.
55 federatat nacionale anëtare të UEFA-s votuan të enjten për të bojkotuar Kupën e Botës nëse planet do të vazhdonin.
Drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, tha se administrata e vetë FIFA-s ishte mashtruar në lidhje me projektin.
Carlos Cordeiro, këshilltar i lartë i Infantinos, dha dorëheqje për këtë çështje, duke theksuar se propozimi ishte marrëveshje e keqe për futbollin dhe do të “hipotekonte të ardhmen e futbollit”.
Reagimet nga Cordeiro dhe Lamour erdhën pasi dy konfederata tjera të mëdha kundërshtuan planet e Infantinos.
Pos UEFA-s, propozimin e kundërshtuan edhe CONCACAF, që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe Karaibe, si dhe Konfederata Aziatike (AFC).
Infantino tani është nën presion të madh, ndërsa kërkon të rizgjidhet për mandatin e katërt si president në Kongresin e FIFA-s në mars. Ai tha se tani synon t’i bashkojë të gjitha palët e interesuara në frymën e interesit të përbashkët në futboll.
Me gjithë refuzimin nga UEFA dhe CONCACAF, FIFA fillimisht u zotua të vazhdonte me propozimet e saj të premten, duke thënë se “askush nuk po e shet futbollin”.
Megjithatë duke njoftuar se planet janë anuluar, Infantino pranoi se kishte nevojë për mbështetjen e shumicës së federatave nacionale. 106 nga 211 federatat nacionale duhej të votonin pro. Dhe kjo u bë e pamundur kur konfederata aziatike u bashkua me UEFA-n dhe CONCACAFIN.
UEFA ka 55 vota, CONCACAF 35 dhe Azia 46.
Infantino donte të krijonte një degë tregtare për të drejtuar ngjarjet kryesore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, me investitorët e jashtëm në gjendje të blinin aksione. Dega ishte planifikuar të quhej “Fifa Forward Enterprise (FFE)”, ndërsa palët e treta nuk do të ishin aksionarët e mëdhenj.
Infantino vendosi afat deri më 19 shtator për federatat nacionale për të pranuar planin, nëse donin të kishin përfitime fillestare prej 20 milionë dollarësh.
“Thrive Eternal” planifikohej të drejtonte grupin e propozuar të investitorëve për FFE. Kjo firmë amerikane është e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Trump tha të premten se nuk kishte folur me Infantinon për planet. Infantino e Trump janë shumë të afërt.
Infantino është në krye të FIFA-s nga viti 2016. Para kësaj jave dramatike, Infantino parashihej të rizgjidhej pa kundërkandidat. Mbetet të shihet nëse plani i dështuar do t’i kushtojë Infantinos me pozitë.
Në deklaratën e tij, Infantino përsëriti që plani ishte hartuar për të forcuar federatat nacionale, veçanërisht në vendet ku mbështetja është më e nevojshme.
“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë, dhe gjithmonë do të jetë, të bashkohemi dhe të përmirësohemi”, tha Infantino në deklaratën e tërheqjes nga plani.
