Gordana Siljanovska-Davkova e cila me inaugurimin e sotëm në Kuvend zyrtarisht e mori detyrën shefe e shtetit, do të jetë grua e parë dhe presidenti i gjashtë nga pavarësimi i shtetit. Ajo është gruaja e parë që u zgjodh presidente e Maqedonisë së Veriut.
Thjeshtë nënkupton filozofi femërore, autenticitet femëror, sepse ne e dimë se si të kujdesemi, jo vetëm për veten por edhe për të gjithë të tjerët, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së.
Në kolltukun e presidentit të Maqedonisë së pavarur deri u ulën pesë presidentë. Presidenti i parë, Kiro Gligorov dhe Gjorge Ivanov kishin nga dy mandate, ndërsa nga një mandat kishin Boris Trajkovski, Bransko Cërvenkovski dhe Stevo Pendarovski.
Kiro Gligorov u zgjodh president në Kuvend sipas zgjidhjeve të atëhershme kushtetuese, ndërsa pasardhësit e tij në zgjedhje të drejtpërdrejta.
Zgjedhjet e para presidenciale u mbajtën më 16 tetor 1994, bashkë me zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje morën pjesë dy kandidatë, ndërsa në raundin e parë fitoi Kiro Gligorov me 78,4%, si kandidat i koalicionit të udhëhequr nga LSDM. Kundërkandidati i tij, Lubisha Georgievski i përkrahur nga VMRO-DPMNE mori 21,6%.
Gjatë mandatit të Gligorovit ndodhën disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Maqedonisë. Në referendumin që u mbajt më 8 shtator 1991 u shpall pavarësia e vendit, ndërsa Maqedonia ishte i vetmi shtet i republikave të ish-Jugosllavisë që u pavarësua në mënyrë paqësore. Më 17 nëntor ‘91 u miratua Kushtetuta e re, ndërsa më 8 prill ‘93 Republika e Maqedonisë u bë anëtarja e 181-të e Kombeve të bashkuara.
Më 3 tetor 1995 ndaj presidentit Gligorov u krye atentat. I mbijetoi me lëndime të rënda në pjesën e kokës. Sulmi u krye me automjet-bombë në rrugën Maqedonia në Shkup. Deri më tani nuk janë zbuluar as porositësit e as autorët e atentatit.
Zgjedhjet e dyta presidenciale u mbajtën në 1999. Gligorov nuk kandidoi, ndërsa zgjedhjet i fitoi Boris Trajkovski, kandidat i VMRO-DPMNE-së.
Zgjedhjet e treta presidenciale në 2004 u mbajtën para kohe për shkak të vdekjes së Boris Trajkovskit i cili jetën e humbi në fatkeqësi ajrore në afërsi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë. Në këto zgjedhje fitoi Branko Cërvenkovski nga LSDM me 62,6% kundër Sashko Kedevit nga VMRO-DPMNE me 37,4%.
Zgjedhjet e katërta presidenciale u mbajtën më 22 mars dhe 5 prill 2009, bashkë me zgjedhjet lokale. Fitoi kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov ndërsa kundërkandiati i tij ishte Lubomir Fërçkoski nga LSDM. Gjorge Ivanov fitoi edhe në zgjedhjet presidenciale në 2014 kur u ballafaqua me Stevo Pendarovskin.
Në zgjedhjet e gjashta presidenciale që u mbajtën në 2019, fitoi Stevo Pendarovski në garë me presidenten e re Gordana Siljanovska Davkova. Këto ishin zgjedhjet e para pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës me të cilën u zgjidh kontesti për emrin e shtetit me Greqinë kur vendi e mori emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
