Maqedonia nisi negociatat për anëtarësim në BE. Kovaçevski: Kjo është ditë historike, e shumëpritur dhe e merituar

TË FUNDIT

“Me këtë rast mund të theksojmë se negociatat për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian tashmë kanë filluar”, tha Jan Lipavski, ministër i Jashtëm i Çekisë.

Pas 17 viteve pritje në dyert e Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut sot edhe zyrtarisht filloi negociatat për anëtarësim në familjen evropiane.

Hapjen e negociatave e bëri ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavski, vendi i të cilit tani kryeson me Këshillin Evropian.

“Bashkëpunimi rajonal dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit. Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë bashkëpunim rajonal konstruktiv dhe t’i përforcojë raportet me vendet fqinje”, shtoi Lipavski.

Në gjuhën maqedonase kryeministri Dimitar Kovaçevski iu drejtua të pranishmëve në Komisionin Evropian. Theksoi se kjo është ditë historike, e shumë pritur dhe e merituar. Të bashkuar në diversitet është motoja e Bashkrimit Evropian e Maqedonia çdo ditë jeton me të, shtoi ai.

“Maqedonia e Veriut është vend i cili i respekton dhe vlerëson fqinjët. Ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje të hapur territoriale me asnjë fqinj dhe kjo tashmë është e rregulluar me Kushtetutën tonë dhe ne vazhdimisht dhe me  vendosmëri i promovojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Për Maqedoninë e Veriut sot po fillon procesi për të cilin kanë punuar shumë dhe kanë pritur gjatë, theksoi në fjalimin e tij, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Evropian, Zhozep Borell. Siguroi se gjatë procesit negociues, identiteti maqedonas nuk do të cenohet.

“Në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian, nuk do ta humbni identitetin tuaj. Asnjëri prej nesh nuk e ka humbur. Ne kemi një kompleks shumë identitetesh. Maqedonia e Veriut me identitetin e saj, me historinë e pasur dhe kulturën gjithmonë ka qenë pjesë e Evropës. Juve nuk ju duhet përfundime nga Këshilli që ta dini këtë. Identiteti juaj do të mbetet do të rritet me identitetet tjera që nuk janë alternativa, por plotësuese”, tha Xhozep Borell.

Sot është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Bashkimin Evropian. Me këtë fjali nisi fjalimin eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhejl. Përmendi se votimi i konkuzioneve në Kuvend për të nisur rrugën evropiane të vendit ishte dëshmi për vendosmërinë për të vazhduar në rrugën drejt BE-së.

 “Ju jeni një model i suksesshëm për shoqëri multietnike dhe prandaj meritoni të vazhdoni më tutje në procesin e anëtarësimit. Është kruciale që Maqedonia e Veriut të qëndrojë e fokusuar dhe tërësisht e përkushtuar në këtë proces. Ndryshimi i Kushtetutës tuaj për të avancuar të drejtat themelore, automatikisht do të plotësojë hapjen e negociatave duke sjell mbajtjen e mbledhjes ndërqeveritare pa prolongime shtesë dhe pa vendime politike”, tha Oliher Varhejl.

Për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, Maqedonia aplikoi në vitin 2004, ndërsa statusin e kandidatit e mori në vitin 2005.Rekomandimi i parë për fillimin e negociatave u dha nga Komisioni Evropian në vitin 2009 dhe Këshilli i BE-së e konfirmoi atë me një vendim unanim në mars të 2020.