Kryesimi i ardhshëm i Maqedonisë me misionin e OSBE-së në vitin 2023 do të jetë mundësi dhe privilegji që vendi ynë t’i prezantohet botës në mënyrë sa më të mirë, tha ministri Osmani gjatë shënimit të 30 vjetorit të partneritetit me OSBE, duke folur për kryesimin tonë me mision. Gjatë kryesimit do të mbahen dy konferenca të mëdha. E para do të mbahet në dhjetor vitin e ardhshëm në Shkup, ku do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha 57 vendeve anëtare, dhe e dyta do të mbahet në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.
“Jo rastësisht kaloi kaq lehët kandidatura jonë, me konsensus prej të gjitha 57 vendeve pjesëmarrëse të Këshillit të ministrave në Tiranë, si rezultat i njohjes së sukseseve të një shteti që i ka arritur qëllimet e tij strategjike, që zbatoi model unik për zhvillimin e shtetit në kontekst të vështirë rajonal, në fqinjësi të komplikuar, në kompozicion të vështirë të brendshëm, model që sot është modeli unik për funksionimin e demokracisë multietnike”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Shefi i misionit të OSBE-së në vend, Klemens Koja, të cilit së shpejti i skadon mandati, tha se përkrahja ndaj Maqedonisë ishte e madhe në të gjitha sferat.
“Gjithashtu punuam që t’i përkrahim përpjekjet për luftë kundër korrupsionit në vend, duke përfshirë edhe ndihmën e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, me qëllim që autoritetet lokale dhe MPB-në të fillojnë të krijojnë politika për përforcimin e integritetit të institucioneve publike. Unë jam krenar me përgjigjen e Misionit ndaj pandemisë me virusin korona”, theksoi Klemens Koja, shef i OSBE-së.
Maqedonia vendosi partneritet me OSBE-në që në vitin 1992 me qëllim që të parandalohet përhapja e konflikteve të hapësirave të ish Jugosllavisë.
